Lajme

Faton Abdullahu aderon në PDK

Analisti Faton Abdullahu ka aderuar sot në Partinë Demokratike të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie dhe kandidatit për kryeministër, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media.

Hoxhaj ka thënë se ardhja e tij tregon se PDK-ja është shtëpi e madhe e cila i ka hapur dyert.

“Arsyeja e një aderimi të tillë është se Kosova po kalon në një fazë të vështirë ekonomik, politik e social”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se Abdullahu i bën nder të madh listës së deputetëve të PDK-së dhe do të jetë pjesë e saj.

Ai tutje ka deklaruar se nuk do të ketë deputetë me aktakuza në listën e deputetëve.

Lidhur me koalicionet, ai ka thënë se janë të hapur porse ende nuk kanë pasur ndonjë debat konkret për këtë çështje.

Abdullahu ka thënë se arsyet pse ka vendosur t’i bashkohet PDK-së janë të shumta.

Ai ka thënë se nuk ka trokitur në dyert e PDK-së por i ka gjetur të hapura.

“Ato janë të hapura sot më shumë se kurrë për njerëz të ri dhe për të bërë ndryshimin e madh. Më bren ndërgjegjja që nuk jam bashkuar më herët. Unë jam i bindur se një parti politike duhet të vlerësohet nga rrënjët”, ka thënë ai.