Bota

Eskalon konflikti në Etiopi, rebelët thonë se qeveria ka vrarë nëntë civilë

Rebelët në pjesën veriore të Etiopisë thanë të shtunën se nëntë civilë janë vrarë gjatë një sulmi të forcave qeveritare në qytezën Adigrat.

Sidoqoftë, agjencia Reuters nuk e ka pasur të mundshme që ta vërtetojë saktësinë e deklaratës së rebelëve për sulmin në qytezën që shtrihet 116 kilometra në veri të kryeqytetit rajonal, Mekelle.

Reklamo bizensin tuaj ketu

As rebelët, as zyrtarët qeveritarë nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë komente në lidhje me këtë rast, por më parë kanë mohuar se janë duke i shënjestruar civilët, transmeton Gazeta Express.

Qeveria etiopiane ka thënë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll një qytet gjatë misionit drejt arritjes në kryeqytetin e rajonit Tigray dhe e ka refuzuar propozimin e Unionit Afrikan për ndërmjetësim.

Qindra njerëz kanë vdekur me mbi 30.000 refugjatë kanë ikur në Sudan që nga shpërthimi i konfliktit mes rebelëve dhe forcave qeveritare në shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në Afrikë.

Konflikti tashmë ka dalë përtej rajonit Tigray pasi rebelët kanë hedhur raketa në rajonin fqinj, Amhara, si dhe në territorin e shtetit fqinj, Eritrea.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt, Unioni Afrikan i ka caktuar tre ish-presidentët e Mozambikut, Liberisë dhe Afrikës Jugore si të dërguar specialë për të bërë thirrje për armëpushim dhe bisedime.

Sidoqoftë, kryeministri Abiy i Etiopisë, i cili vitin e kaluar e fitoi Çmimin Nobel për Paqe pas paktit të paqes me Eritrenë, ka thënë se dëshiron t’i largojë nga pushteti liderët në Tigray para se t’i nisë bisedimet.