Lajme

Enver Dugolli konfirmon se do të japë dorëheqje nga pozita e zv.ministrit: Do të jem deputet

Me të ardhur në Kryeministri, Albin Kurti, kishte vendosur që Enver Dugolli të jetë numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, kjo pasi që ky i fundit nuk kishte arritur të siguronte votat e mjaftueshme për deputet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por, nuk kaluan më shumë se katër ditë nga emërimi i tij, KQZ-ja vendosi sot që ai të jetë njëri nga zëvendësuesit e deputetëve që u emëruan ministra. Kjo ka bërë që Dugollit t’i mbetet të zgjedh mes të dy pozitave të rëndësishme.

Mirëpo, ai tashmë veçse ka vendosur se cilën pozitë do ta mbajë. Në një deklaratë për ai tha se do ta mbajë pozitën e deputetit dhe jo atë të zëvendësministrit.

Unë tash e mora vesh edhe lajmin. Natyrisht që do të përcaktohem për pozitën e deputetit për shkak se kam garuar në listën e VV-së dhe e shoh veten në Kuvendin e Kosovës” ka thënë ai

I pyetur se kur do ta njoftojnë largimin e tij nga Ministria e Mbrojtjes, Dugolli theksoi se do ta ndërmarr këtë hap për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

Patjetër që do të bëj dhe do të ndërmarr hapat e duhur edhe të nevojshëm që t’i hap rrugë rrugëtimit tim në Kuvend si deputet i kësaj legjislature”, ka shtuar tutje.

E për fokus si deputet, Dugolli tha se do ta ketë fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes

“Meqë kam ‘background’ ushtarak dhe dal nga ministria e Mbrojtjes . Fokusi im kryesor do të jetë avancimi i politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë, në mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së”, ka deklaruar më tutje.

Në ndërkohë kryeministri Kurti  më 27 mars të këtij viti ka marr vendim për emërimin e katër zëvendësministrave, ndër ta edhe Dugolli.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në plotësimin e synimeve dhe përgjegjësive të tyre. Zëvendësministrat e emëruar janë: Z. Hysen Durmishi, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës . Enver Dugolli, zëvendësministër i Mbrojtjes Z. Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë Z. Ilir Aliu, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve, ka bërë që KQZ-ja të rishqyrtojë edhe një herë rekomandimet për kandidatët e radhës për deputetë, pas kërkesës nga ushtruesi i detyrës së Presidentit.

Zëvendësimi i deputetëve sipas votave dhe jo sipas gjinisë (bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese) ka sjellë ndryshim të emrave të kandidatëve që rekomandohen për zëvendësimin e deputetëve që u bënë ministra.

Nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë dy emra të rinj, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli, të cilët do të zëvendësojnë dy deputetë që u bënë ministra.

Në vend të Mustafës dhe Dugollit, në fillim ishin Yllza Hoti e Gresa Bytyqi.