Sport

E BUJSHME/ Direktiva të qarta nga Kina! Partia Komuniste, urdhër Zhangut të shesë Interin

Me Milanin në shitje mund të përfundojë edhe I

Me Milanin në shitje mund të përfundojë edhe Interi. Natyrisht secili klub për llogari të vet, por ndërsa për Milanin flitet prej kohësh, lajmi për shitjen e mundshme të Interit ka ardhur disi surprizë për nga mënyra se si ka ardhur.



Jo se Interi nuk ka qenë në shitje, madje disa herë është folur për shitjen e klubit zikaltër. Por këtë herë në lojë është futur dhe Partia Komuniste Kineze.

Për herë të parë nga vendi aziatik, nga ku vjen dhe presidenti dhe bosi i klubit zikaltër ka ardhur ultimatumi për heqjen dorë nga Interi.

Lajmi është bërë me dije nga “Wall Street Journal” (Uoll Strit Xhornal), sipas së cilës, Partia Komuniste Kineze është gati për të miratuar një direktivë të re që u ndalon funksionarëve të qeverisë së këtij vendi të zotërojnë pronësi ose të kenë pjesë në pronësi jashtë Kinës.

Një nga këto raste prek edhe Interin, që zotërohet nga Zhan Jindong, pronari i këtij klubi. Jindong nuk është ndonjë person dosido në Kinë.

STIVEN ZHANG

Përveç faktit se është një nga biznesmenët e fuqishëm në këtë vend, ai është mes protagonistëve të PKK-së, i cili nëpërmjet kompanisë “Suning” zotëron pjesën dërrmuese të aksioneve të Interit, teksa djali i tij Stiven Zhang është aktualisht president i zikaltërve.

Në këtë rast, nëse qeveria kineze do të miratojë direktivën e ardhshme siç pretendon media amerikane, atëherë “Suning” dhe Jindong do të jetë i detyruar të heqë dorë nga zotërimi i Interit.

Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë. Në fakt nuk është e para herë që qeveria kineze po mundohet të shmangë ose të ndalojë që fondet kineze të investohen në shoqëri të huaja jashtë këtij vendi.

INTER

Jo më kot Interi është munduar të mbahet me vetëfinancim, kryesisht me lëvizjet në merkato.

Nga ana tjetër vetë “Suning” vazhdon të përgënjeshtrojë zërat për një shitje të mundshme të klubit.

Këtë e ka përsëritur dhe presidenti Stiven Zhang pas fitores në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit, i cili ka saktësuar se dëshiron të mbajë klubin zikaltër.

Një problem më shumë për Zhang Jindong në shitjen e mundshme të Interit janë borxhet e tij. Për momentin borxhi i klubit zikaltër po u afrohet 700 milionë eurove./ Panoramasport.al