Shëndetësi

Dyshoni se vuani nga astma, testi i metakolinës do t’ju tregojë të vërtetën

Testi i metakolinës njihet dhe me emra të tjerë

Testi i metakolinës njihet dhe me emra të tjerë, si testi i bronkoprovokimit apo testi i provokimit bronkial jospecifik. Ky test bëhet me metakolinë (emri tregtar i saj njihet si Provocholine). Përmes këtij testi përcaktohet hiperaktiviteti bronkial dhe për rrjedhojë bëhet diagnostikimi t astmës. Gjatë procedurës, përthithet mjekimi i dhënë që shkakton një shtrëngim të rrugëve respiratore. Por, për të kryer testin e metakolinës duhet të kemi disa gjëra parasysh. Për shembull, nuk duhen marrë disa ilaçe dhe nuk duhet konsumuar kafeinë apo cigare. Gjithashtu ky test nuk këshillohet gjatë shtatzënisë.
TESTI I METAKOLINËS
Hiperaktiviteti bronkial është një proces që ndodh gjatë një ndjeshmërie anormale të rrugëve të frymëmarrjes. Kjo ndodh për shkak të një pengese të fluksit të ajrit, kur subjekti u nënshtrohet stimujve të caktuar, si polena, pluhuri, tymi i cigares. Gjatë hiperaktivitetit, një përgjigje e tepruar e mukozës bronkiale nxit bronkopazmën. Kjo situatë ndodh te njerëz të prekur nga sëmundje të ndryshme respiratore, si astma, bronkiolite, deri tek alergjitë dhe ftohja. Në testin e metakolinës, ilaçi përdoret për të nxitur hiperaktivitetin për të parë se si funksionojnë mushkëritë. Kloruri i metakolinës është një antagonist kolinergjik sintetitk joselektiv. Aktivizon receptorët e acetilkolinës të llojit bronkokonstriktor. Në veçanti, kur thithet metakolina, ngushton rrugët e frymëmarrjes. Testi i metakolinës zgjat rreth 90 minuta dhe ndahet në tri faza.
Faza e parë
Testi nis me një vlerësim bazë të frymëmarrjes, e njohur dhe si spirometria. Kjo ndihmon për të kuptuar si funksionojnë mushkëritë në lidhje me variablat si vëllimi maksimal i frymëmarrjes në sekondën e parë, sa e shpejtë është frymëmarrja, sa ajër thithet dhe nxirret.
Faza e dytë
Duke përdorur një nebulizator, metakolina merret përmes inhalimit deri në përfundimin e katër dozave. Para dhe pas çdo doze, bëhet sërish spirometria për të matur shtrëngimin e rrugëve të ajrit. Fluksi respirator mund të mbetet i njëjtë, përmirësohet apo përkeqësohet.
Faza e tretë
Kur arrihet doza maksimale e metakolinës e parashikuar në test, apo nëse funksionaliteti polmonar zvogëlohet me 20% në krahasim me matjen fillestare, testi përfundon. Dhe kur përfundon pacienti duhet të marrë bronkodilator (salbutamol). Gjatë testit mund të jenë të pranishëm disa profesionistë të kujdesit shëndetësor, që kanë njohuri të testit të metakolinës. Por është pneumologu, ai që merret me vlerësimin dhe interpretimin e rezultatit dhe përgatit raportin përkatës. Testi mund të ketë dy rezultate të mundshme. Konsiderohet pozitive nëse metakolina nxit zvogëlim të funksionit polmonar me 20% apo më shumë. Prandaj personi mund të ketë astmë. Nëse funksioni pulmonar nuk ndryshon apo rënia e tij nuk arrin nivelin e mësipërm prej 20%, rezultati konsiderohet negativ. Pra, kjo sëmundje përjashtohet.
PËRGATITJA PËR TESTIN E METAKOLINËS
Para se të bëni testin e metakolinës, pacienti duhet të japë informacione të ndryshme ekipit mjekësor që do bëjë testin. Në veçanti duhet të tregojë nëse ka pasur simptoma astme, ka pasur infeksion të rrugëve të frymëmarrjes në javët e fundit, është shtatzënë apo me ushqyerje me gji, ka marrë së fundmi ndonjë vaksinë, nëse vuan nga ndonjë sëmundje kardiake, alergji, nëse merr ilaçe për rrugët respiratore, pi duhan apo përdor inhalatorë. Në rast se pacienti merr ilaçe, do të duhet t’i ndërpresë përkohësisht disa trajtime para se të bëjë testin e metakolinës, sidomos nëse ilaçet kanë të bëjnë me rrugët respiratore. Duhet ta diskutoni me mjekun për të parë se cilat ilaçe dhe për sa kohë duhet të ndërpriten. Për disa është e mjaftueshme vetëm një apo dy ditë, ndërsa për të tjerë edhe më shumë kohë. Theksohet se pacienti nuk duhet të veprojë me iniciativë personale, por me këshillën e mjekut. Për më tepër, duhet të kontaktojë me mjekun nëse sheh ndonjë reaksion pas ndërprerjes së trajtimit. Dita e parashikuar për testin e metakolinës duhet të respektoni këto kufizime: Mos përdorni asnjë lloj inhalatori për trajtimin e astmës! Shmangi konsumin e pijeve që kanë kafeinë të paktën 6 orë para! Mos pini duhan të paktën 24 orë para testit! Ndërprisni bronkodilatorët rreth 12-18 orë para! Këshillohet të konsumoni një vakt të lehtë të paktën 2 orë para testit. Mos bëni aktivitet fizik! Pas testit të metakolinës, personi mund të rimarë trajtimin me ilaçe dhe të rikthehet në regjimin e tij ushqimor dhe aktivitetit të rregullt. Nuk ka nevojë për periudhë shërimi, vetëm nëse mjeku ju thotë të kundërtën.
KUNDËRUDHËZIME
Testi i metakolinës nuk këshillohet në disa raste: në shtatzëni apo ushqyerje me gji, aneurizëm i aortës apo cerebrale, shqetësime të lidhura me tensionin e gjakut, infarkt apo iktus në muajt e fundit. Testi i metakolinës është minimalisht invaziv dhe nuk shkakton asnjë bezdisje apo efekt anësor. Megjithatë, janë të nevojshme disa masa paraprake. Para se gjithash, duhet të keni parasysh që testi zgjat 90 minuta, prandaj duhet durim për këtë test. Nga ana tjetër, kërkohet dhe një farë sforcoje. Për një person që nuk është në kushte të mira fizike apo vuan nga shqetësime të frymëmarrjes, fakti i marrjes frymë dhe nxjerrjes së saj me forcë dhe shpejt shumë herë mund të shkaktojë marramendje, kollë, frymëmarrje me zhurmë, dhimbje të kraharorit, mungesë frymëmarrje. Prandaj pacienti duhet të vërë në dijeni mjekun nëse ka ndonjë bezdisje, apo nuk ndjehet mirë, apo ka nevojë për më shumë kohë para se të bëjë një spirometër apo nëse mendon se duhet ta ndërpresë testin. Gjithashtu, nëse ditët para testit vërehet një situatë që mund të ndikojë në rezultate, këshillohet të vini në dijeni mjekun.