Lajme

Dy dëshmitarë dëgjohen në seancë për rastin “Syri i Popullit”

Dëshmitarët Hekuran Mavriqi dhe Berat Rrustemi

Dëshmitarët Hekuran Mavriqi dhe Berat Rrustemi janë dëgjuar në seancën gjyqësore për rastin “Syri i Popullit”, ku Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica po akuzohen për ndihmë në tentim vrasjen e Azem Vllasit.

Derisa dha dëshminë e tij, Hekuran Mavriqi deklaroi se qëndron pas dëshmisë së tij të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të kaluar.

Ai madje dorëzoi edhe dëshminë për vdekjen e babait të tij, Ramiz Mavriqi i cili ishte po ashtu dëshmitar në këtë rast, i cili kishte ndërruar jetë më 23 mars 2021.

Mavriqi tha se nuk e njeh fare të akuzuarin tjetër, Avni Lluminicën derisa për Sadri Ramabajën tha se kishte një lidhje të largët farefisnore, ndërsa të dëmtuarin, Azem Vllasin deklaroi se babai i tij e kishte shok.

E pas kësaj i akuzuari, Avni Llumnica iu prezantua dëshmitarit Hekuran Mavriqi duke i thënë se ai është viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës.

“Hekuran unë jam Avni Llumnica dhe jam viktimë e Azem Vllasit dhe Sadri Ramabajës për të bërat e tyre që për mua janë ende të panjohura”, deklaroi Llumnica, raporton KP.

Edhe dëshmitari tjetër, Berat Rrustemi deklaroi se qëndron pas tërë asaj që kishte deklaruar më herët. Rrustemi është nipi i të akuzuarit, Avni Llumnica. Nga Prokurori i Shtetit, Burim Çerkini ai u pyet se të akuzuarin, Avni Llumnica e ka takuar para ditës kritike, dëshmitari tha se e ka takuar më herë madje edhe në ditën kritike e ka takuar pasi e kishte ftuar për të pirë kafe në lokalin ku ai punon.

Rrustemi deklaroi se edhe pse e ka takuar dajën e tij ai asnjëherë nuk ka qenë i njoftuar për këto ngjarje.

Pas dëgjimit të dy dëshmive u vendos që për dëshmitarët tjerë të verifikohet adresa e tyre e banimit dhe të sillen në gjykatë për të dhënë dëshminë, përkundër që prokurori i rastit, Burim Çerkini propozoi që përveç Njazi Sinanit, dëshmia e Nuhi Zekës, Gëzim Halitit dhe Faton Topallit vetëm të lexohen.

Por kjo u kundërshtua nga mbrojtja e dy të akuzuarve në këtë rast. Pastaj, trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli mori aktvendim që të verifikohen adresat e tyre dhe të sillen në gjykatore për të dhënë dëshminë. /Insajderi.com