Showbiz

Dua Lipa: Gjyshit tim i kërkuan serbët ta falsifikonte historinë e Kosovës, ai nuk pranoi dhe u pushua nga puna

Artistja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, së fundmi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Revistën ‘Rolling Stone’ në Amerikë.

Dua Lipa së fundi ka qenë personazhi kryesor në revistën e njohur botërore, ‘Rolling Stone’.

Në intervistën e realizuar me këtë revistë, Dua ka folur edhe për periudhën kur u transferua në Kosovë si dhe për momentet e tmerrshme që familja e saj kishte përjetuar nga okupimi serb në Kosovë, duke i bërë që të largohen për në Angli.

Revista amerikane gjithashtu i ka dedikuar disa rreshta gjyshit të saj, historianit Seit Lipa, i cili dikur ishte edhe Drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë.

Dua ka kujtuar se si gjyshi i saj u pushua nga puna nga okupatorët serb, kjo pasi ai nuk pranoi të rishkruante apo thënë më mirë ta ‘falsifikonte’ historinë ashtu siç kërkuan ata.

“Familja e saj është familje shqiptare e Kosovës, refugjatë të konflikteve në Ballkan, dhe të dy gjyshërit e saj ishin historianë”, shkruan Revista Rolling Stone për këngëtaren shqiptare.

“Gjyshi im nga ana e babait tim po shkruante libra për gjithçka që po ndodhte”, shpjegon ajo. “Kur ndodhi okupimi, forcat serbe kërkuan që ai të rishkruajë historinë. Ai nuk pranoi dhe ai humbi punën e tij. Kështu që është pjesë e asaj që unë jam dhe qëndroj pranë gjërave në të cilat besoj”, ka thënë Dua Lipa për Rolling Stone.