Lajme

Drejtësia, të gjitha pushtetet rilindjes!

Nga Sebi Alla

Krijimi i Gjykatës Kushte

Nga Sebi Alla

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese rikthen temën e nxehtë të kapjes së drejtësisë së re. Presidenti dhe qeveria përplasen jo vetëm për “dy emra” gjyqtarësh. Parlamenti, bashkë me “opozitën e re” kthehet në “noter” të kryeministrit, gjyqtarja e kaluar “apriori” betohet te noteri… Presidenti padit penalisht kreun e KED për shpërdorim detyre. Gjykata Kushtetuese “rrëzon” qeverinë në vendimin e saj të parë.

Në korrikun e vitit 2016, u duk se një erë e re do vinte për vendin, kur të 140 deputetët, të majtë e të djathtë, me dëshirë apo nën trysni, votuan për ndryshimet kushtetuese, që i hapnin rrugë një drejtësie të re. Pas tri vitesh, Reforma në Drejtësi, e mbi të gjitha elita e sistemit, Gjykata Kushtetuese, përfundon buzë Lanës, në një zyrë të vogël noterie… Kjo ndodhi me kandidaten Arta Vorpsi, e cila pasi u refuzua nga presidenti, por u “pranua” apriori nga Parlamenti, vendosi të bëjë betimin para noteres, ku për të veshur mantelin e “gjyqtares Kushtetuese”, mjafton të paguash 26 mijë lekë të vjetër dhe të vetëshpallesh e zgjedhur dhe për nëntë vite të mbash peshën e madhe të interpretimeve të ligjeve. Presidenti dhe qeveria janë sërish në përplasje, jo vetëm për dy emra, ku kreu i shtetit dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare e Kushtetueses, ndërsa Parlamenti kaloi me “afate” Arta Vorpsin, por forma për të formësuar Gjykatën Kushtetuese, ngritja e së cilës është nevojë ulëritëse. Kapja është dilema e sotme! Kërkohej një drejtësi e re e pavarur, por gjithçka po ndodh e ka futur vendin në një absurd ligjor, politik, social, e ndasi, ku qëllimi është sesi nën ombrellën ndërkombëtare, interesa tërësisht politikë, cytin edhe labirintet e drejtësisë së re të bëhen palë për një palë. Parlamenti nuk humbi kohë, në një seancë të jashtëzakonshme miratoi paraditen e së premtes një rezolutë kundër presidentit të vendit, duke e konsideruar nul zgjedhjen e Xhaferllarit nga kreu i shtetit, ku edhe vetë teksti flet më shumë se çdo deklaratë: “Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”, -një slogan që më shumë u përket parullave të para viteve 90’… Rezoluta mori 97 vota, asnjë kundër, ku edhe opozita e re bashkoi “vullnetin e saj” me mazhorancën, madje në fund duartrokiti gjatë me kolegët e “unifikuar politikisht”. Në atë seancë nuk mungoi as deklarata e kryeministrit, i cili më shumë se referime ligjore dha mesazhe si “pro” amerikan dhe Europian … “Jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe nga institucioni i Presidentit sulmon nga të katërta anët, duke qenë ne këtu 100% në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE. Është e lehtë të kuptohet se pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kupton dy aleatët e Shqipërisë duke na vënë të gjithëve në pozitë jo komode dhe të turpshme”-tha kryeministri Edi Rama dhe në fund shtoi se: “këtë herë unë nuk do të merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë. Me drejtësinë që është ende në ardhje dhe që ende kërkon shumë vullnet, shumë durim dhe shumë mbështetje nga ana jonë”. Në pasditen e së premtes edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha mbajti qëndrim ku i konsideroi zhvillimet më të fundit si tentativë e pastër e kreut të qeverisë për të pasur nën suazën e tij Gjykatën Kushtetuese. “Rama bëri çdo përpjekje për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi. Rama po përpiqet të kontrollojë drejtësinë. Kush nuk e do drejtësinë është e qartë. Kryeministri uzurpoi kompetencat e Presidentit. Një teatër 3-ditor për Gjykatën Kushtetuese. Edi Rama e kishte jetike kapjen e Gjykatës Kushtetuese sepse kjo gjykatë ka për të vendosur për disa çështje jetike siç është 30 qershori. Për interesat e tij personalë, po merr peng të ardhmen europiane të Shqipërisë. SPAK dhe BKH janë jetike dhe duhet të vihen sa në shpejt në funksion”-deklaroi Basha.

***

Pa kaluar as dy orë nga histerizmi parlamentar, Gjykata Kushtetuese, tashmë me pesë anëtarë të konfirmuar, mori një vendim të beftë për qeverinë, por në lexim të germës dhe frymës nga vetë anëtarët. “Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të cilët janë Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese; Besnik Muçi, gjyqtar; Elsa Toska, gjyqtare; Marsida Xhaferllari, gjyqtare dhe Fiona Papajorgji, gjyqtare”-thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në lidhje me rezolutën e Parlamentit, kjo gjykatë theksoi se për shkak të kuorumit, (pasi nuk përbëhet në më shumë se gjashtë anëtarë) nuk mund ta marrë në shqyrtim. Rrëzoi Parlamentin indirekt, duke njohur Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe dhënë fund ndoshta përkohësisht absurdit se për t’u bërë gjyqtar në kushtetuese nuk mjafton të shkosh te noteri dhe shpallesh me një listë që të vjen nga KED-ja. Beteja vijon, jo më me përplasje verbale, deklarata dhe “rezoluta Parlamentare”, por edhe me padi penale.

***

Presidenti i vendit Ilir Meta, mëngjesin e së hënës do të padisë penalisht kreun e KED-së (Këshillit të Emërimeve në Drejtësi), Ardian Dvoranin. “Dëshiroj t’ju bëj me dije vendimin tim si presidenti dhe kryetar i shtetit për të paraqitur ditën e hënë kallëzim penal kundër zotit Ardian Dvorani me detyrë kryetar i këshillit të emërimeve në drejtësi. E akuzoj për këto vepra penale: 1- shpërdorim detyre neni 248 kodit penal; 2-përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore, 246 kodi penal”-tha Meta në konferencën për shtyp të mbajtur të premten në mesditë. Me tej, kreu i shtetit referoi argumentet ligjore që sipas tij faktonin shkeljet ligjore të kreut të KED-së, në bashkëpunim edhe me Parlamentin. Ndërsa Gjykata Kushtetuese foli, “pas një heshtjeje” dyvjeçare, pritet plotësimi me anëtarë të tjerë, që sërish do të kalojnë nga KED-ja, ku kreu i saj Ardian Dvorani është edhe Kryetar i Gjykatës së Lartë, për më shumë mbetet filtri i vetëm ku do të kalojnë kandidatët e rinj dhe aty do të ketë “përkujdesje” të veçantë. Provat janë dhënë. Mjafton që të shihet pikëzimi për kandidaten Marsida Xhaferllari e cila nga kreu i KED-së dhe Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku kishte marrë zero pikë nga 18 të mundshme. Teksa presim Drejtësinë e Re, ajo sërish do jetë në “duart e vjetra”, ku që nga e hëna, kryeprokurorja në dukje në ikje do ketë fatin e kolegut në KED Ardian Dvorani, që deri më tani kanë menduar dhe gjykuar njësoj, edhe kur bëhet fjalë për çështje pikësh…! Mazhoranca mund të ngjajë se humbi një beteje, duke shpikur afate ligjore, apo shpallur fitues apriori anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por është vetëm një emër që “humbën”, të tjerë janë në pritje dhe filtri i fundit për fat të keq mund të mos jetë nga institucionet e reja të drejtësisë, por nga kalkulimet mirëfilltas politike të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese, ende pa u krijuar ka sjellë përplasje të fortë jo vetëm me deklarata, por me akte politike dhe ligjore nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nëpërmjet Parlamentit. Në përplasje duket se janë dy emra Vorpsi dhe Xhaferllari, ku presidenti njeh Xhaferllarin, ndërsa mazhoranca Vorpsin. A është kjo një përplasje ligjore, apo mirëfilltas politike? Cila palë ka të drejtë në këtë nismë, në aspektin ligjor? Kujtojmë që edhe Parlamenti në mesditë votoi një rezolutë edhe me votat e “opozitës së re” kundër kreut të shtetit.

Nuk ka asnjë diskutim që kemi të bëjmë me një përpjekje krejtësisht kundër Kushtetutës dhe parimeve themelore të saj nga ana e shumicës qeverisëse për të mos lejuar krijimin e një Gjykate Kushtetuese të pavarur. Tërë thelbi i sistemit tonë politik, i demokracisë, ka të bëjë me faktin që pushtetet janë të ndara dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Ligjvënësi shqiptar kur miratoi ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi por edhe kur miratoi ligjin për Gjykatën Kushtetuese përcaktoi një radhë të qartë të mënyrës se si do të plotësoheshin vendet në këtë gjykatë. Radha dhe përfshirja në emërime e të gjitha pushteteve është gjithë thelbi i ruajtjes së pavarësisë së kësaj gjykate. Partia Socialiste dhe kryeministri Rama po tregojnë se ata nuk mund të bashkëjetojnë me një Gjykatë Kushtetuese të pavarur. Në vitin 1929, një nga teoricienët më të mëdhenj në botë dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Hans Kelsen u largua nga Austria dhe nga detyra. Në Austri erdhi në pushtet një regjim fashist. Kelsen tha se Gjykata Kushtetuese dhe fashizmi nuk rrinë bashkë, nuk mund të bashkëjetojnë. Këtë po tregon plotësisht edhe Rama. Në fund të fundit konstitucionalizmi si doktrinë ka vetëm një synim, ka atë të garantimit të kufizimit dhe të ndarjes së pushteteve. Në momentin që Parlamenti dhe qeveria bëjnë gjithçka që presidenti të mos emërojë një anëtar që i takon me Kushtetutë në Gjykatën Kushtetuese, kemi dalë nga konstitucionalizimi. Nuk e kuptoj se si e bën këtë gjë znj. Arta Vorpsi. Ajo në fakt po tregon se nuk meriton të jetë as gjyqtare e thjeshtë në një gjykatë rrethi. Në fakt, në seancën dëgjimore të mbajtur në komisionin e ligjeve pak ditë më parë u pa qartë se ajo kishte një nivel të thellë mediokriteti. Ajo nuk tha asgjë mbi ndarjen e pushteteve, mbi detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, mbi kufijtë e qeverisë, mbi mënyrën se si lexohet ligji dhe Kushtetuta në botë. Kandidatët për këto gjëra flasin ndërsa znj. Vorpsi foli marrëzira mbi nevojën për të neutralizuar debatin publik apo atë politik. Ndërsa rezoluta e parlamentit është thjesht një dëshmi e faktit që qeveria nuk bashkëjeton dot me një gjykatë të pavarur.

Si pritet të përfundojë kjo situatë kur palët në konflikt pretendojnë se kanë të drejtë, ndërsa absurdi është se pikërisht për Gjykatën Kushtetuese që do i jepte përgjigje shteruese shumë konflikteve institucionale, presidencë-qeveri, ka konflikte që në ngritjen e saj?

Përfundimi i kësaj çështjeje do të varet nga mënyra se si do të ndikojnë faktorët ndërkombëtarë besoj. Kjo është në fakt për të ardhur shumë keq. Ndërkombëtarët nuk mund ta duan kurrë Shqipërinë më shumë se sa ne dhe ata janë burokratë që ndjekin politika skematike të cilat jo domosdo kërkojnë që konstitucionalizmi të mbretërojë. Ajo që dua të them është se nuk mund të kemi kurrë Kushtetutë dhe institucione që garantojnë liritë politikë, pronën, garën, të drejtat, në qoftë se qeveria dhe parlamenti nuk zbatojnë atë që quhet luajalitet kushtetues. Kjo do të thotë se Parlamenti dhe qeveria duhet të dinë që emërimet në Gjykatën Kushtetuese të bëhen sipas radhës dhe që presidenti të caktojë numrin që parashikon Kushtetuta. Nëse pushteti më i madh që është qeveria dhe parlamenti nuk duan, nuk e kanë këtë luajalitetkushtetues, atëherë flasim kot. Luajaliteti Kushtetues është kusht për gjithë funksionimin demokratik të sistemit tonë. Nëse nuk kemi luajalitet kushtetues, për shembull Gjykata Kushtetuese mund të vendosë gjithnjë 3 me 3 ose 4 me 4 dhe nuk merr vendime, atëherë do të jemi sikur nuk kemi gjykatë fare. Askush nuk detyron një anëtar të gjykatës të shprehet me zor apo të marrë pjesë me zor në një çështje. Pra, i bie të rikthehemi sërish te Kelsen dhe te fashizmi, atje nuk ka luajalitet kushtetues. Edhe këtu te ne, kryetari i KED, një njeri që vjen paturpësisht nga organet e regjimit të Enver Hoxhës nuk ka luajalitet kushtetues por përkundrazi përpiqet ta shtyjë presidentin që të mos zgjedhë dhe përpiqet të shtyjë kryeministrin që të zgjedhë më shumë se sa ia lejon Kushtetuta.

Institucionet e “Drejtësisë së re” ende pa u formësuar po përplasin palët, a rrezikojmë tashmë që të futemi në një ngërç të fortë institucional dhe kushtetues edhe në vijim? Nga ana tjetër, është lënë të kuptohet se nëse konflikti vijon kreu i shtetit mund të shpërndajë Parlamentin cilat janë bazat ligjore, por edhe politike dhe nëse ndodh cili institucion do e “gjykojë” vendimin?

Jemi padyshim në një krizë të rëndë. Kjo në fakt nuk është krizë kushtuese por krizë organike e cila ka kapur të gjithë qelizat e institucioneve, të jetës politike dhe sociale të vendit. Një krizë e tillë njihet në politologji si krizë organike ose si krizë e gjithanshme. Ajo herë shfaq më fort përmasën kushtetuese, njëherë atë ekonomike, një herë atë të policisë, një herë atë të zgjedhjeve etj. Shpërndarja e parlamentit duhet të ishte bërë me kohë dhe një nga rrënjët e krizës gjendet aty. Ai parlament po bën votime dhe po merr vendime me mbi 100 vota në një kohë që ata që quhen si deputetë të opozitës së re nuk janë rezultat i zgjedhjeve të qershorit të 2017. Atanuk kanë dalë nga ato zgjedhje dhe kaq mjafton që vendimet e tyre të mos jenë legjitime në kuptimin politik. Nga ana tjetër, ai Parlament nuk përfaqëson të gjithë shqiptarët nga pikëpamja numerike. Ai nuk ka aq deputetë sa thotë kushtetuta dhe në këtë mënyrë mjaft shqiptarë nuk janë të përfaqësuar. Kaq do të mjaftonte për ta shpërndarë përsëri. Çështja është se në një regjim fashist ti nuk mund të shpërndash një Parlament që i shërben fashizmit. Regjimi fashist që e ka vënë në shërbim atë parlament do ta mbajë në këmbë me zor. Pra nëse presidenti nxjerr një dekret për ta shpërndarë, parlamenti do të miratojë një rezolutë dhe nuk shpërndahet. Jemi në këtë absurd.

Gjykata Kushtetuese, ende pa u krijuar ka sjellë përplasje të fortë jo vetëm me deklarata por me akte politike dhe ligjore nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nëpërmjet Parlamentit. Në përplasje duket se janë dy emra Vorpsi dhe Xhaferllari ku presidenti njeh Xhaferllarin, ndërsa mazhoranca Vorpsin. A është kjo një përplasje ligjore, apo mirëfilltas politike? Cila palë ka të drejtë në këtë nismë, në aspektin ligjor? Kujtojmë që edhe Parlamenti në mesditë votoi një rezolutë edhe me votat e “opozitës së re” kundër kreut të shtetit.

Kushtetuta është shumë e qartë në përcaktimin e radhës së punës për administrimin, listimin e përcjelljen e emrave tek institucionet e emërtesës, në rastin konkret te Presidenti dhe Parlamenti që duhet të zgjedhin me radhë secili nga tre gjyqtarë kushtetues, ndërsa Gjykata e Lartë që ka edhe ajo tre anëtarë kushtetues për të zgjedhur, mbetet në pritje, deri sa të ngrihet. Nuk është procesi ai që sjell përplasje mes institucioneve, por mënyra e administrimit të tij nga KED, që për arsye që nuk i ka sqaruar, nuk ka respektuar këtë radhë, e Presidenti e ka kundërshtuar, kurse kuvendi ia ka pranuar në heshtje. Askush nuk e mohon dot se për emërtesën e vet presidenti nuk u shpreh kundër, por vetëm kërkoi respektimin e radhës së institucioneve sipas kushtetutës, pra në opinionin tim, Marsida Xhaferllari është emërtesa që i takon presidentit. Rezoluta e kuvendit e miratuar sot, nuk ka asnjë fuqi ndikuese ndaj Gjykatës Kushtetuese që është institucion i pavarur, për pasojë rezoluta ishte thjesht një taktikë politike.

Si pritet të përfundojë kjo situatë kur palët në konflikt pretendojnë se kanë të drejtë, ndërsa absurdi është se pikërisht për Gjykatën Kushtetuese që do i jepte përgjigje shteruese shumë konflikteve institucionale, presidencë-qeveri, ka konflikte që në ngritjen e saj?

Kam përshtypjen që Gjykata Kushtetuese, ende pa kuorumin e nevojshëm 6 anëtarësh për vendimmarrje në njoftimin e saj bëri të qartë që gjyqtarët e betuar tek presidenti, janë anëtarët e saj të rinj. Me këtë pasazh; “Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, lihet të kuptohet se anëtarja e pestë e kësaj Gjykate është Xhaferllari e jo Vorpsi.

Institucionet e “Drejtësisë së re” ende pa u formësuar po përplasin palët, a rrezikojmë tashmë që të futemi në një ngërç të fortë institucional dhe kushtetues edhe në vijim? Nga ana tjetër, është lënë të kuptohet se nëse konflikti vijon kreu i shtetit mund të shpërndajë Parlamentin.Cilat janë bazat ligjore, por edhe politike dhe nëse ndodh cili institucion do e “gjykojë” vendimin?

Mendoj se paralajmërimi i presidentit ishte emocion politik më shumë se mundësi kushtetuese. Me nisjen e punës së Xhaferllarit, mendoj se situata mund të qetësohet, me shpresën që të mos përsëritet më anomalia e fundit me emërimin e kandidatëve. Por ngërçi nuk përjashtohet nëse mazhoranca do insistojë që falë numrave në kuvend, të kufizojë kompetencat e presidentit, duke dobësuar kështu parimin “Check and balance” mes institucioneve në vend. Padyshim që kjo nuk i shërben vendit e them se ka ardhur koha që aktorët vendimmarrës të heqin dorë nga lojërat politike për përfitim influencash politike në institucionet e drejtësisë së re. Së pari, do minohej besimi tashmë i brishtë te reforma zgjedhore, ndërsa mesazhi më i shëmtuar do u jepej gjithë partnerëve në BE që janë të angazhuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat përmes një vendimmarrje në samitin e Zagrebit në maj 2020

Gjykata Kushtetuese, ende pa u krijuar ka sjellë përplasje të fortë jo vetëm me deklarata por me akte politike dhe ligjore nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nëpërmjet Parlamentit. Në përplasje duket se janë dy emra Vorpsi dhe Xhaferllari ku presidenti njeh Xhaferllarin, ndërsa mazhoranca Vorpsin. A është kjo një përplasje ligjore, apo mirëfilltas politike? Cila palë ka të drejtë në këtë nismë, në aspektin ligjor? Kujtojmë që edhe Parlamenti në mesditë votoi një rezolutë edhe me votat e “opozitës së re” kundër kreut të shtetit.

Konflikti ka ardhur për shkak të gabimeve të bëra nga ana e KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Sipas Kushtetutës është KED që bën listimin e kandidatëve sipas një metode pikëzimi. Lista e kandidatëve i shkon sipas radhës Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë. Gabimi i KED ishte se për çdo vend vakant të shpallur nga Presidenti dhe Kuvendi dërgoi të njëjtën listë në përbërje. Sigurisht që për shkak të pikëzimit renditja e kandidatëve nuk mund të ndryshonte nga njëra listë te tjetra. Kandidatët konkurrues është e qartë se do të kishin të njëjtën vlerësim me pikë pavarësisht se për cilin vend vakant konkurronin. Kështu për të tria vendet vakante të fundit që bëhet debati nga ana e KED, u dërgua e njëjta listë me tre emra Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji. Kjo mënyrë e të vepruarit ka shkelur garën për të konkurruar , por ka vendosur edhe Presidentin si dhe Kuvendin në një situatë të faktit të kryer. Presidenti dhe Kuvendi për tre vende vakante do të zgjidhnin tre gjyqtarë nga tre lista por që kishin të njëjtët gjyqtarë të renditur. Në këtë mënyrë KED paracaktonte edhe se kush do bëhej Gjyqtarë duke marrë defacto edhe kompetencën e Presidentit dhe Kuvendit për të përzgjedhur. Si rregull do të duhej që KED për vendin e parë vakant të bënte pikëzimin vetëm për një listë kandidatësh. Në përfundim t’ia dërgonte Presidentit i cili brenda afatit ligjor të vendoste se kë nga kandidatët të emëronte si gjyqtar. Pas kësaj procedure KED duhej të fillonte garën për vendin e dytë vakant. Pasi të bënte pikëzimin e kandidatëve, listën përkatëse duhet t’ia dërgonte Kuvendit. Pas kësaj procedure duhej të hapte garën për vendin e tretë. Vendin e tretë vakantduhet ta caktonte Gjykata e Lartë. Kjo e fundit nuk është funksionale dhe nuk mund të dërgonte kandidatët për pikëzim të KED. Në këtë moment KED duhet të pezullonte procesin deri në funksionimin e Gjykatës së Lartë. Vetëm në këtë mënyrë do ishte e mundur që të garantohej një garë midis kandidatëve dhe do t’i jepte mundësi përzgjedhjeje Presidentit dhe Kuvendit.

Si pritet të përfundojë kjo situatë kur palët në konflikt pretendojnë se kanë të drejtë, ndërsa absurdi është se pikërisht për Gjykatën Kushtetuese që do i jepte përgjigje shteruese shumë konflikteve institucionale, presidencë-qeveri, ka konflikte që në ngritjen e saj?

Konflikti politik ka çuar edhe në një situatë absurde kushtetuese. Në mungesë të funksionimit normal të Gjykatës Kushtetuese çdo faktor apo institucion mund të pretendojë kompetenca që i ka apo që duhet t’i ketë. Gjithashtu, mund të pretendojë se gjatë veprimtarisë ka ushtruar kompetencën kushtetuese. Do të ishte vetëm Gjykata Kushtetuese që do të zgjidhte konfliktin e kompetencave kushtetuese. Në të kundërt Institucionet do të kthehen në cauboy ku do të nxjerrin armët dhe do të marrin atë që pretendojnë nëpërmjet forcës. Kështu në këtë situatë do të fitojë më i forti, dhe jo më i drejti.


Etiketa: , , , , ,