Lajme

Donika Kadaj injorohet nga Haradinaj: Prej që s’e votova Qeverinë, nuk kam folur me krerët e partisë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend dhe raportin e saj me subjektin që i takon dhe udhëheqësit e kësaj partie.

Mosvotimi i Qeverisë Hoti nga ana e saj, i ka kushtuar me “ngrirje” të raporteve me partinë të cilën i takon e udhëheqës i së cilës është Ramush Haradinaj.

Kadaj-Bujupi ka bërë të ditur se që nga mosvotimi i Qeverisë nuk ka pasur komunikim me krerët e partisë.

 “Raportet e mia me Aleancën subjektin tim politik janë të mira, jam në kontakt të vazhdueshëm me aktivistë, degë, nëndegë me struktura. Ndërkaq me nivelin qendror me krerët e partisë nuk kam pasur komunikim që nga mosvotimi im për Qeverinë Hoti”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ajo ka shtuar se edhe pse vazhdon të jetë sekretare organizative e partisë, nuk është duke u ftuar në takimet e degët e AAK-së që kanë filluar të mbahen këto ditë.

Tutje ajo thekson se edhe në disa mbledhje të kryesisë nuk ka qenë e ftuar.

Duke folur rreth 100 ditëshit të Qeverisë Hoti, Kadaj-Bujupi theksoi se kjo qeveri vazhdon të jetoj me pandeminë. Sipas saj, fokusimi i tërë energjisë nga ana e Qeverisë në çështjen e dialogut nuk është e nevojshme, pasi siç shprehet ajo nevojat e qytetarëve duhen dëgjuar fillimisht.

“Në periudhën në të cilën jemi, në vlugun e pandemisë, në kohën kur kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha socio ekonomike, mendoj se Qeveria duhet të fokusohet më shumë në prioretizimin e tyre, t’i jap prioritet temave nacionale të brendshme dhe në këtë mënyrë mund t’i dal zot nevojave të qytetarëve. Fokusi në dialog dhe vetëm dialog, ka marrë të gjithë energjinë e kësaj qeverie dhe krejt çka kemi dëgjuar brenda këtyre 100 ditëve është kush çka i tha në dialog, qoftë në Bruksel, qoftë në Ëashington. Ajo çfarë duhet dëgjuar sipas meje është nevojat e qytetarëve. Kjo Qeveri po vazhdon të jetojë me pandeminë, duhemi me pa shumë më shumë energji, vendime më të mëdha që do tu përgjigjen nevojave të qytetarëve”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi më tej sqaroi edhe deklaratën e saj dhënë ditë më parë ku kishte thënë se Qeveria Hoti duhet të rrëzohet në rast se nuk arrin të miratojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ajo ka thënë se ende qëndron prapa kësaj deklarate dhe se një qeveri e cila nuk mund ta bëjë shumicën e thjeshtë për ligje që janë jetike në një fazë pandemie është e kotë të vazhdojë angazhimin vet ose të jetë në detyrë.