Lajme

Disa policë francezë suspendohen nga puna pas dhunës ndaj imigrantëve në Paris

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha të enjten se disa policë, të cilët u incizuan duke përdorur dhunë ndaj imigrantëve dhe gazetarëve në një protestë të martën, janë suspenduar.

Përpos suspendimit, ky ministër bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se kanë filluar hetimet ndaj policëve që dyshohet se kanë përdorur forcë në një protestë kundër largimit të një kampi të imigrantëve.

“Shpresoj që procedura disiplinore të kryhet sa më shpejt që është e mundshme”, shtoi ai. Më parë, ky ministër i kishte përshkruar skenat e dhunës policore si shokuese.

Policia e Parisit të hënën në mbrëmje largoi një kamp nga qendra e Parisit, kur në disa tenda kishte ende njerëz.

Disa protesta janë mbajtur në Paris këtë javë, ku policët u incizuan duke përdorur dhunë kundër imigrantëve dhe gazetarëve.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nxitën zemërim dhe reagime të shumtë. Organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën “Mjekët pa Kufij”, e kritikuan ashpër sjelljen e policisë.