Maqedoni

Diplomacia ekonomike pëson debakël!

Gazetar: Luka Andreev

Projekti për diplo

Gazetar: Luka Andreev

Projekti për diplomacinë ekonomike, drejt debaklit. Ndonëse vitin e kaluar me pompozitet u njoftua se këshilltarët ekonomikë të punësuar në ambasada do të tërhiqnin investime të huaja, vetëm katër prej tyre aktualisht janë në detyrë, në Ankara, Abu Dabi, Varshavë dhe Munih. Plani i ministrit të Jashtëm, i cili para një viti nënshkroi memorandum me kolegët e tij nga ekonomia dhe bujqësia, parashikonte që persona nga këto ministri të dërgoheshin në qendrat kryesore ekonomike, shkruan Alsat.

“Ministria e Ekonomisë ende nuk ka dërguar përfaqësues ekonomikë në Bruksel (përgjegjës për vendet e Beneluksit), Gjenevë (përgjegjës për Organizatën Botërore të Tregtisë) dhe Çikago (përgjegjës për Illinois, Miçigan, Viskonsin, Indiana, Ohajo dhe Minesota)”, thonë nga  Ministria e Ekonomisë

“Deri më tani përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me ujëra nuk janë përfshirë në rrjetin diplomatik si promotor ekonomik”,  Ministria e Bujqësisë

Këshilltarët ekonomikë janë zëvendësim për ish 33 promotorët ekonomik, të prezantuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit, të cilët u treguan të pamjaftueshëm efikas, por merrnin honorare të lartë deri në 4000 euro në muaj. Ministri Osmani siguroi se tani, me risitë e MPJ-së, rezultatet e tyre do të shihen qartë.

“Sa kompani keni takuar, sa prej tyre ua keni prezantuar mundësitë tona, sa prej tyre kanë vendosur të vijnë në vend pas prezantimit tuaj, sa prej atyre që e kanë vizituar kanë vendosur të investojnë…kështu që më lehtë vendosen parametra që mund të kuantifikohen dhe vlerësohen”, Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme(12.06.2022)

Nga Ministria e jashtme për Alsat thonë se katër këshilltarët e punësuar kanë kaluar vlerësimin e parë, por nuk ka përgjigje konkrete nëse kanë tërhequr ndonjë investim.

“Në çdo segment, këshilltarët ekonomik janë aktiv, në koordinim të vazhdueshëm me ministrinë e jashtme ndërsa rezultatet e punës së tyre, disa janë të dukshme në kohë të shkurtër, e disa do të hyjnë në fuqi pas një periudhe të caktuar”, thonë nga Ministria e jashtme

Megjithatë, ministria rithekson se vendimi për dërgimin e këshilltarëve ekonomikë ka rezultuar i drejtë, pozitiv dhe i dobishëm për shtetin. Megjithatë, Këshilli i ambasadorëve ka theksuar se ky aktivitet nuk është aspak i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja. /Alsat.mk