Opinione

Dilema: Kuvend-farsë apo Kuvend shprese

Shokon e papritura, por, jo e pritura.

Shokon e papritura, por, jo e pritura. Prandaj, humbja e LDK nuk ishte shokuese, por, e pritshme. Ose u shokuan udhëheqja e LDK-së, ngaqë ishin shkëputur, tërësisht, nga anëtarësia, por, jo kjo e fundit, e cila përjetonte shpërfilljen, injorimin e shefave të LDK-së. Dhe, vazhdimin përtej dekadës. Megjithatë, reagimi hiç i bazës, më sakt, pajtimi qyqar, e bënë pjesë të fajësisë edhe vet bazën.

Pas humbjes së pritur të LDK-së, u bë sikur u pranua fajësia e atyre që e projektuan dhe kontribuan për humbjen. Për ta lëndëzuar fajësinë, nismoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me dorëheqjen e parevokeshme, siç u tha. Dhe, “nëpër dhëmbë”, në ecje e sipër, Lutfi Haziri përmendi edhe “kryesinë në dorëheqje”.

Por dorëheqjet u relativizuan, deri në pendesë, kur kryetari Mustafa tha se “megjithëse unë nuk e kam udhëhequr fushatën dhe po të kthehesha, në drejtim të partisë, njëjtë do të veproja!” Pra, mohoi çfarëdo fajësie për humbjen! Pas  kësaj, u hesht edhe dorëheqja e kryesisë. Përkundrazi, kryesia filloi fushatën, në klane, për ta rimarrë udhëheqjen e partisë! Pra, të vazhdojë statusquoja, pa ndryshime, me pak retushime. Kësaj i thonë “pordhë e ftohtë” ose “pordhë me rigon”, siç thonë vëllezërit tanë jugorë.

Brezi i mesëm dhe disa më të hershëm të LDK-së, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, por, jo edhe të Kryesisë, edhe pse janë shumë më meritorë, se sa disa nga ata, që, tashmë, janë konsumuar, kërkuan ndryshime dhe reforma të  reforma të thella. Ata dhanë edhe sugjerime të bazuara. Por, konceptet e tyre për mënyrën e zgjedhjes të kryetarit dhe të strukturave të partisë dhe vet demokracinë, bien ndesh me kërkesat e tyre. 

Akademik Frashër Demaj thotë se “LDK-ja ka demokraci të brendshme!” Kështu thotë edhe Melihate Tërmkolli, Besa Gaxherri, Naser Rugova dhe të tjerët radhazi, në tufëzim! Por, jo edhe Fatmir Rexhepi, Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj, Hafiz Gagica dhe të tjerë. Edhe përjashtimin e debatit, të paktën, në tri Kuvendet “Zgjedhore” të LDK-së, ku unë isha delegat, e quajnë “demokraci”?! Ndërkohë që, LDK-së i mungon demokracia elementare e brendshme partiake. Përndryshe, Kuvendi, Këshilli i Përgjithshëm, nuk do të lejonin të bëhen zgjedhje fiktive, aklamative, të rrejshme, të turpshme, marroçe!

Anëtari i KP, Naser Rugova, aktualisht, më i zëshmi për reforma të thella e përmbajtësore, thotë se i bindem vendimit të shumicës, që marrin strukturat e partisë! Pra, Dr. Naseri, aprovon kryetarin dhe kryesinë të “zgjedhur” me aklamacion, nga shumica, absolute, pothuajse, unanime, të njëzëshme, në Kuvendin e 9-të “Zgjedhor” të LDK-së! Ndërkohë, nga Kuvendi prej 350 delegatëve, kanë kundërshtuar vetëm 4 delegatë: Fatmir Sejdiu, Melihate Tërmkolli, një delegat nga  Fushë-Kosova, (me keqardhje, nuk arrita t`ia mësoj emrin) dhe unë, Idriz Zeqiraj, delegat dhe zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani, që kundërshtova, zëshëm e çjerrshëm, rrjedhën e Kuvendit-farsë, madje, përgjatë gjithë kohës sa zgjati ajo maskaradë “kuvendore!”

Cilat ishin kërkesat e mia, në sallën e Kuvendit:

1) Të bëhet debat i lirë, i shpenguar kuvendor, para se të filloi votimi;

2) Të këtë konkurrencë të ndershme, me disa kandidatë në garë;

3) Të bëhet votimi i fshehtë demokratik, (dhe kurrë aklamativ), për zgjedhjen e kryetarit dhe të gjitha strukturave të  LDK-së.

Po të realizoheshin këto tri parime zgjedhore, bazë e demokracisë, Kuvendi i 9-të “Zgjedhor”, nuk do ta kishte zgjedhur lidershipin e sotëm, i cili, përmutshëm e turpshëm, rrënoi dhe baltosi, partinë kryezonjë, LDK-në, të Presidentit Rugova. Dhe, nuk do të kishte as përçarje, as ndarje, me plot përgjysmim të LDK-së. 

Arsyeja e vetme ishte karrierizmi, deri në gërdi, i një lidershipi-klan, i cili privatizoi partinë. Fajësisë nuk i shpëtojnë as të ashtuquajturat struktura të partisë dhe vetë anëtarësia, për heshtjen e turpshme 17-vjeçare. Turpin duan ta përsërisin edhe më 14 mars, duke imponuar kryetar e kryesi të dhunshme, pa zgjedhje të mirëfillta në Nëndegët dhe Degët e LDK-së, pra, pa zgjedhje të përgjithshme.

Për çudë, statutin e përmendin shkarazi, ndërkohë që harrojnë burimin e diktaturës, kompetencat e enorme të kryetarit të partisë. Kjo të lënë përshtypjen  që secili syrësh, ëndërron këtë post dhe e don statutin e pandryshuar, kryetarin fuqiplotë! Statuti aktual është “beter”. Dhe, atë duhet flakur dhe ndryshuar me ka krejt, sepse është bërë për interesa karrieriste e klanore. 

Kërkesat përgjatë javës së parë paszgjedhore, të humbjes së freskët, ishin për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nga baza në qendër, me statut të ri dhe me njerëz pa mëkate. Sepse me të njëjtat struktura, nuk pritën zgjedhje të mirëfillta demokratike. Pra, do të kemi një Kuvend-farsë dhe assesi një Kuvend të shpresës, për ringritjen e LDK-së. 

Por, të njëjtit kërkues reformatorë, kanë “zbritur pazarin”, duke pranuar mbajtjen e një Kuvendi-farsë, me të njëjtit delegatë dhe Këshill të Përgjithshëm mëkatarë, për zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë të LDK-së! Sepse kanë pranuar zgjedhje aklamative hiçe, me një statut, që do ta kishin zili fashistët, komunistët, kmerët e kuq të Kamboxhias, dikur, dhe krerët e Koresë së Veriut, sot!

Pra, Kuvendi i 14 marsit i ka delegatët e Kuvendit të 9-të, pjesa dermuese pa legjitimitetin e duhur, meqë janë të emëruar dhe jo të zgjedhur; me një Këshillë të Përgjithshëm, tërësisht, të paligjshëm, sepse nuk kanë kaluar në filtrin e votës së fshehtë demokratike. Pjesë e këtij Kuvendi Zgjedhor është Kryesia e LDK-së, me 33 anëtarë, ministra, drejtorë, zyrtarë, të gjithë profiterë të kësaj udhëheqjeje partiake, shkaktarë të drejtëpërdrejtë të shkatërimit të pritshëm të LDK-së!

Atëherë, çfarë rezultati pozitiv, i drejtë, i pranueshëm, për anëtarësinë, mund të jetë një kryetar dhe një kryesi e LDK-së, të zgjedhur nga një Kuvend dhe Këshill i Përgjithshëm, krejt të paligjshëm?! Nga kjo del pyetja: Kujt i duhet një Kuvend i tillë farsë e maskaradë, i cili organizohet, thjeshtë, për ta amortizuar llogaridhënien, për humbjen ekstreme, pse jo, të qëllimshme të LDK-së.

Anëtari i KP, Faton Bislimi, një kuadër simpatik, duke i pakënaqur me statusquonë në LDK-e, por, nuk është i qartë në kërkesa. Derisa ai e ka gojën e ka plotë, për demokracinë në LDK-në tonë, atëherë, pse nuk është i drejtëpërdrejtë dhe i kuptueshëm në deklarimet e tij: “LDK-së i duhet një – ribrendim politik -. Ky -ribrendim- është një mundësi, për LDK-në dhe një prkushtim për Kosovën”. Pra, – ribrendimi politik – nuk është i qartë.

I qartë dhe konseguent mbetët anëtari i kryesisë Besian Mustafa, i cili ngulmon që të fillohet të punohet me bazën partiake, nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë. Pra, nga Nëndegët, Degët e deri në qendër. Rrjedhimisht, kryetari i LDK-së, do të rezultonte në garën e Kryesisë, madhe të Kryesisë të Ngushtë të LDK-së. Zgjedhjet klasike në LDK-e kanë qenë përcaktuese të vlerave, pë secilin drejtues, kuadër partiak.

Shkatërrimit të LDK-së, i ka paraprirë statuti i ri, përkatësisht rrënimi i sistemit zgjedhor, i filluar nga lart, për ta dhjerë edhe bazën, si viktimë e lidërshipit klanor. Andaj është akute, e ngutshme, ndryshimi  i Statutit, që zvogëlon, natyralizon, kompetencat e kryetarit, ofron dhe fuqizon ekipin e vyeshëm rreth tij, duke e kontrolluar e stopuar kryetarin, në megallomaninë mujëshore, unin vendimmarrës, për ta mësuar atë me ecjen tokësore, kolektive, edhe atëherë, ku ta këtë zënë karrikën e kryetarit të LDK-së.

Letra-program pune, për ta zgjedhur kryetarin dhe kryesinë dhe strukturat e partisë, të Besianit, që, gjithësesi, ka trashëguar genin urtak e meçurak të babait të tij, Xhemajl Mustafa, “më bëj baba të të ngjaj”, duhet të shërbej, si guidë rrugëtimi e veprimi, për punën që duhet bërë me anëtarësinë, elektoratin, popullin. Në letrën në fjalë, bëhet fjalë për mënyrën dhe mundësinë, për ta ngritur LDK-në, tashmë të përtokur nga karrierizmi i sëmurë i një lidershipi-klan, që kishte privatizuar partinë dhe ngulmon të vonojë tërheqjen, me taktizime e stratagjëma përfide, mashtruese.