Lajme

Deti përparon drejt tokës, në disa zona në Durrës uji hyn dy metra në breg

Erozioni është një nga problematikat më të mëdha me të cilat përballet bregdeti i Durrësit.

Çdo vit deti përparon drejt tokës duke gllabëruar dunat ranore dhe në disa zona, sipas specialistëve, kjo është dhe më e dukshme.

”Në Rrushkull është shumë evident avancimi i detit në tokë në 2 ose më shumë metra në vit dhe ky problem e ka fillesën nga gërryerja pa kriter e lumenjve Ishëm e Erzen”, tha eksperti i mjedisit, Olsi Nika.

Ndotja e ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë me të cilat vaditen tokat e kullosin bagëtia e përfundojnë në det, po dhe në tryezat tona përmes konsumimit të produkteve bujqësore e blegtorale konsiderohet një tjetër sfidë.

“Humbje e vlerave të biodiversitetit, si pasojë e presionit të urbanizimit që në Durrës ka 30 vjet që ka nisur. Edhe këtu në plazh ku jemi ka një transformim tërësor…”, tha Nika.

Në këto kushte, ndërhyrjet në mbrojtje të mjedisit janë të domosdoshme për të ndalur degradimin e mëtejshëm të tij dhe pasojat e menjëhershme dhe ato afatgjata që shkakton.

”Natyra do të na e kthejë, por me çfarë kosto? Vende si Shqipëria e kanë të vështirë e gati të pamundur të përballojnë kostot e rikuperimit të shërbimeve të ekosistemit që natyra t’i jep falas e pastaj përpiqemi të gjejmë zgjidhje në kushtet e emergjencës që nuk janë të qëndrueshme në kohë”, sipas ekspertit.