Lajme

Detaje të reja nga tragjedia në Prizren, në shtëpinë ku u gjetën të vdekur babë e bijë ishte edhe një person

Prizreni është tronditur mbrëmë nga një rast që ka ndodhur në rrugën “Durmish Asllani”. Babë e bijë janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre, derisa dyshimet e para janë se babai fillimisht e ka vrarë vajzën e pastaj veten. 

E në momentin kur ka ndodhur rasti, në shtëpi ka qenë edhe vëllai i viktimës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Vëllai i viktimës ka qenë në vend të ngjarjes. Dëshmitarët përreth, fqinjët, e kanë lajmëruar rastin. Jemi duke punuar që të zbardhet ky rast. Ata kanë qenë në shtëpi dhe mund të intervistohen si dëshmitarë”, ka thënë Osmanollaj.

Ndryshe, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pak minuta para se polici do të duhej të nisej për në vendin e tij të punës, aty ku po punonte tash e një kohë si doganier.

Detaje për këtë rast kanë dhënë dje edhe nga Prokuroria e Prizrenit. Kryeprokurori Admir Shala ka thënë se janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave.

“Ka ndodhur një rast tragjik, ku ne një shtëpi janë gjetur 2 viktima, qe dyshohet se janë vrare nga arma e zjarrit. Viktimat janë familjare, babë e bije. Njeri nga viktimat dyshohet se është zyrtar policor. Prokurori se bashku me Policinë dhe njësite tjera relevante kane dalur ne vendin e ngjarjes. Nuk dihen akoma rrethanat se si ka ndodhur rasti”, ka thënë Shala.

Në Policinë e Kosovës ndërkaq thonë se babë e bijë u konfirmuan të vdekur në vend të ngjarjes nga mjekët kompetentë.

“Me 15.12.2020, pak pas orës 19:00, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Durmish Asllani” në Prizren, janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Njësitet kompetente policore, menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe bazuar në informacionet e para, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pa jetë, një M/Kosovar zyrtar policor dhe një F/Kosovare, vdekjen e të cilëve e kanë konfirmuar mjekët kompetent”, ka thënë zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.

Në vendin e ngjarjes menjëherë pas rastit kanë dalur të gjitha njësitet policore përfshirë forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin.