Lajme

Dështon zbardhja e vjedhjes së kasafortës në AUV, asnjë i arrestuar deri më tani

Janë bërë nëntë ditë prej kur ndodhi vjedhja e kasafortës brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në të cilën ndodheshin mbi 1 mijë e 500 euro para të gatshme, mbushje të telefonit e dokumente të rëndësishme.

Përkundër kohës së kaluar, organet e rendit nuk kanë arritur ta kapin asnjë nga personat e dyshuar për kryerjen e kësaj vjedhjeje, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Express se në bashkëpunim me policinë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të këtij rasti.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ndërkohë, Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka treguar për Express se çka saktësisht ka pasur në arkën e vjedhur.

“Arka metalike në momentin që është vjedhur ka pasur brenda para në vlerë 1,523.58 euro (njëmijepesëqindenjëzetetre euro e pesëdhjetedy eurocentë), dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro). Po ashtu, aty kanë qenë të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore). Këto plane shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes, apo defekteve teknike që paraqiteshin. Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, ka deklaruar Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se si pasojë e hyrjes me forcë, janë dëmtuar dritarja dhe tri dyer të zyrave

Në gjithë këtë skandal, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka supsenduar vetëm një zyrtar të policisë.

Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor në fjalë, nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, është thënë në njoftimin e IPK-së.