Opinione

Deputeti i VV-së tregon kush do të jetë objektiv i Ligjit për konfiskimin e pasurisë: Do ta shkëpus Kosovën nga Korrupsioni

Qeveria Kurti, gjatë 1 muaji qeverisës është e

Qeveria Kurti, gjatë 1 muaji qeverisës është e përkushtuar në pandeminë dhe për sigurimin e vaksinave, madje ai tregon se është përmbyllur edhe hartimi i programit qeverisës, i cili së shpejti do të diskutohet edhe në Kuvend.

Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Rrustemi ka deklaruar edhe për konfiskimin e pasurisë, sipas tij, qytetarët nuk duhet të hetohen, por vetëm zyrtarët publik dhe se vetëm kështu Kosova do të shkëputet nga korrupsioni.

Tutje, ai ka folur edhe për dokumentin “Non-paper”, derisa është shprehur se interesat e Kosovës duhet të jenë mbrojtje territoriale, ndërsa dokumenti i tillë ka bazën në Beograd dhe i cili është kundër interesave të shtetit të Kosovës.

Ndërsa, sa i përket dialogun me Serbinë, deputeti Rrustemi ka thënë se Kosova është për një dialog të përgatitur mirë dhe me parime, ku çështje e të pagjeturve do të jetë prioritare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen politike në vend?

Adnan Rrustemi: Kosova ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit e vendosur për të ecur shumë më shpejtë drejt shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik, punësimit, drejtësisë e barazisë. Kahja që duhet të marrë vendi në këto fusha është krejt tjetër nga çfarë kemi parë në 21 vitet e shkuara. Sidoqoftë, në këtë drejtim pa dyshim që pandemia COVID -19 dhe gjendja e ekonomisë si pasojë e pandemisë janë prioritete të domosdoshme. Nga menaxhimi i kujdesshëm e sigurimi sa më shpejtë i vaksinës është çështja më e rëndësishme për të cilën po angazhohet Qeveria e Kosovës. Kosova ka ngelur mbrapa edhe kur bëhet fjalë për sigurimin e vaksinës si pasojë e menaxhimit të keq dhe faktit që Qeveria e kaluar nuk ka arritur të ndërtojë raportet e duhura për të siguruar vaksinën. Ndërsa, Qeveria Kurti në këto 30 ditë nga kur e ka marrë detyrën, po bën gjithçka për të ardhur sa më parë deri tek vaksina. Ardhja e kontingjentit të parë dhe paralajmërimi se është çështje ditësh kur arrin edhe kontingjenti i dytë, janë veprime që do të çojnë në drejtim të stabilizimit të situatës dhe tejkalimit të kësaj sfide për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik dhe jetës normale.

“Bota sot”: Keni qenë përfaqësues i VV-së në KQZ, tani jeni deputet. Sa është e rëndësishme për ju të jeni përfaqësues i popullit?

Adnan Rrustemi: Po, kam qenë anëtar i KQZ-së për tri mandate gjatë të cilave kam qenë i lidhur shumë me zgjedhjet dhe princimin që zgjedhjet e lira janë një domosdoshmëri për demokracitë. Si anëtar i KQZ-së kam qenë i përkushtuar në mbrojtjen e votës për secilin qytetar e për secilin subjekt politik. Jashtë kësaj kam qenë dhe jam aktivist politik i cili angazhimin politik e sheh vetëm në funksion të një projekti më të gjerë për të nxjerrë popullin dhe vendin nga kjo gjendje në një gjendje tjetër të cilën e meriton, për të cilën ka sakrifikuar shumë. Kësisoj, kandidimi dhe zgjedhja si deputet është e vlefshme vetëm si zgjatim i aktivizmit politik. Përkundër se janë ditët e para dhe kjo do kohën e saj të ambientimit, jam i vetëdijshëm për nevojat e qytetarëve por edhe për pritjet që kanë nga kjo legjislaturë, për të cilat do të angazhohem palëkundur.

“Bota sot”: Cili do të jetë kontributi juaj si deputet i Kuvendit të Kosovës?

Adnan Rrustemi: Siç e thash, të qeit deputet e shoh vetëm si zgjatim të një angazhimi më të gjerë politik dhe aktivizmit. Jashtë kësaj nuk kam ndonjë vlerësim për të qenit deputet. Mjaft kemi parë se si përfaqësuesit kishin shkëputje të thellë më gjendjen e qytetarëve. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodh. Kjo nuk dua që të më ndodh mua dhe do të përpiqem që substancialisht të jem përfaqësues në kuptimin e reflektimit të vërtetë e të plotë të asaj çfarë dominon shpirtin e popullit, hallet dhe nevojat e tij, por edhe pritshmëritë. Natyrisht që roli i deputetit është më shumë bartje e zërit e përmirësim të legjislacionit. Në këto dy aspekte do të përpiqem me gjithë qenien time politike dhe profesionale.

“Bota sot”: Si e vlerëson punën e Qeverisë Kurti për këtë 1 mujor?

Adnan Rrustemi: Siç e thashë, këto zgjedhje kanë nxjerrë një Qeveri si kapërcim mendësish. E shkuara e hidhur e qeverisjes së keqe duhet të mbetet një e shkuar e pakthyer dhe jam i sigurt se kështu do të ndodh. Duke qenë se pritjet dhe përkushtimi janë për ndryshime rrënjësore, kërkohen edhe veprime mirë të planifikuara. Janë vetëm 30 ditë të një mandati të plotë, gjatë të cilave po vlerësohet dhe skanohet gjendja nëpër ministri, po merren me përkushtim me pandeminë e sigurimin e vaksinës, si dhe tashmë është përmbyllur hartimi i programit qeverisës i cili pritet shumë shpejt të diskutohet në Kuvend. Nuk kam asnjë dyshim në suksesin e kësaj Qeverie e cila ka në përbërje një ekip të jashtëzakonshëm profesional, politik e me integritet të lartë.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për Ligjin për konfiskimin e pasurisë? A duhet të hetohet edhe pasuria e qytetarëve?

Adnan Rrustemi: Gjatë këtyre 21 viteve Kosova është përballur me korrupsion të lartë në nivele të larta. Shpërdorimi i detyrës dhe i pasurisë publike ka qenë konstante. Pasurimi i zyrtarëve publik është në shpërputhje me të hyrat e tyre të deklaruara. Kështu që është e domosdoshme që në kuadër të një strategjie më të gjerë të shtetit të së drejtës dhe luftimit të korrupsionit, që të miratohet edhe ligji për konfiskimin e pasurisë me bazë civile. Jo, nuk mendoj që qytetarët duhet të hetohen dhe as nuk do të jenë objekt, por zyrtarët publik dhe personat e tretë tek të cilët ka mund të bartet pasuria. Një ligj i tillë që nuk duhet dhe nuk do të jetë as hakmarrës e as selektiv, por i paanshëm do ta shkëpus Kosovën nga përfitimet e paligjshme nga korrupsioni. aktualisht, është miratuar konceptdokumenti i cili i paraprinë projektligjit. Deri sa atë shndërrohet në ligj, do të ketë mundësi që të merren parasysh të gjithë elementet e duhura për t’iu përgjigjur nevojave të Kosovës.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për “non-paperin” slloven që u publikua së fundmi? A ekziston ende rreziku i ndryshimit të kufijve?

Adnan Rrustemi: Kosova duhet të definojë interesat e saj në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit shtetëror dhe Kushtetutës së Republikës. Në këtë drejtim duhet të jemi unik si shoqëri e si spektër politik. Këto “non-papers” që dalin kanë bazën në Beograd e të cilat padyshim se janë kundër interesave të Kosovës. Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise dhe kësisoj nuk pranon diskutime as për shkëmbime territoriale e as për bosnjëzim të saj.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga vizita e kryeministrit Kurti në Bruksel?

Adnan Rrustemi: Vizita dhe paraqitja e Kryeministrit Kurti në Bruksel ishte dinjitoze. Si asnjëherë më parë ne kishim një paraqitje që paraqiste një Kosovë krejtësisht tjetër nga çfarë kanë parë. Vetëm kështu mund t’i japim Kosovës vendin e merituar në mesin e shteteve tjera.

“Bota sot”: A mendoni se mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi së shpejti?

Adnan Rrustemi: Kosova është për dialog të përgatitur mirë dhe me parime. Ne duhet të priremi nga adresimi i çështjeve dhe kërkesave tona si shtet. Pa dyshim që çështje e të pagjeturve është çështje prioritare. Më shumë se sa koha, ne duhet të jemi të vendosur dhe të palodhshëm në mbrojtjen e interesave të shtetit, integritetit, sovranitetit dhe Kushtetutës së Republikës.

“Bota sot”: Duke e pasur parasysh rezultatin e LVV-së nga zgjedhjet e 14 shkurtit, çfarë prisni nga ato lokale?

Adnan Rrustemi: Zgjedhjet lokale ende nuk janë shpallur, por pa dyshim se ndryshimi i 14 shkurtit duhet të shtrihet edhe nëpër komuna. Qeverisja e mirë e bazuar në parimin e drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë duhet të shtrihet edhe nëpër komuna. Nuk kam asnjë dyshim se kështu edhe do të ndodh, sepse është e nevojshme që të kemi një ecje e qeverisjes lokale krah qeverisjes qendrore, mbi vlerat e orientimet e përbashkëta.