Lajme

Denoncimi/ “Shefqet Kastrati do blejë aeroportin e Rinasit, qeveria i ka dhënë 500 mln € tenderë”

“Biznesmeni Shefqet Kastrati po tenton të blejë

“Biznesmeni Shefqet Kastrati po tenton të blejë aeroportin e Rinasit”. Kështu u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit deputeti i opozitës së re, Halit Valteri.

Ai ka denoncuar abuzimet dhe vjedhjet që sipas tij Kastrati i bën pasurive publike të Shqipërisë.

Deputeti Valteri tha se qeveria i ka dhënë Kastratit 500 mln euro tendera, ndërsa tha se vendi drejtohet nga 5 oligarkë. Më tej, Halit Valteri ka ngritur si shqetësim se po cenohet siguria kombëtare, pasi biznesmeni Kastrati sipas tij do blej aeroportin e Rinasit, ka në dispozicion një port edhe doganat e vendit.

Për deputetin, Kastrati ka sjellë në Kuvend disa deputetë, ku sipas tij disave u ka dhënë para, disave shtëpi.

“Shefqet Kastratit i keni dhënë plot 500 mln euro tendera sot, Rrugën e Kombit, Porto Romanon dhe tashmë do blejë aeroportin e Rinasit. Pyetja është që një biznesmen ka një aeroport, ka një port ka vënë dhe një drejtor doganash. A është kërcënuar siguria kombëtare, kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare, drejton shtetin dhe disa ministra prej jush.

Sjell në këtë parlament disa deputetë më paratë e tij, financon qeverinë dhe opozitën. Shumë nga këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati. Dikujt i kanë dhënë shpia, dikujt të ardhura, dikujt para nën dorë. Pse nuk ngrihen për njeriun që po vjedh Shqipërinë”, tha Valteri.

Ndërkohë Valteri akuzoi qeverinë se është e korruptuar, ndërsa drejtoi gishtin nga Prokurori, që sipas tij nuk ka drejtuar asnjë dosje në SPAK për zyrtarët e korruptuar.

“Prokuroria nuk është gjëkundi. Nuk e dimë si do ta mbronte sot Prokurori zoti Cela, punën e dikasterit që drejton dhe çfarë bilanci do të vinte në këtë sallë. Në harkun e një viti kanë ndodhur mjaft ngjarje kriminale dhe atentate stil mafioz. Prokuroria nuk ka bërë asgjë.

Kemi zyrtarë shteti që abuzojnë ditën për diell dhe Prokuroria nuk referon asnjë dosje në SPAK. Njësoj si dikur kur kishim drejtësi të kalbur.

Sot kemi një qeveri më të korruptuar në raport me ligjin. Në harkun kohor të një viti nuk ka asnjë referim për ndonjë zyrtar të lartë. Korrupsioni është ulur këmbëkryq në qeverinë tuaj. Unë dhe populli nuk besojmë tek ju, ju e keni kapur drejtësinë dhe gjithçka në këtë vend”, u shpreh deputeti Halit Valteri.


Etiketa: , ,