Lajme

Dënimi i Palë Lekaj dhe ish-zyrtarëve tjerë për korrupsion, gjykata s’i fali besimin dy ekspertizave financiare

Është shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryeta

Është shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës, përcjell Insajderi.

Kjo aktakuzë është shpallur nga Gjykata Themelore në Gjakovë, më 19 shkurt të vitit 2021 ku i akuzuari Lekaj është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, ka njoftuar  “Betimi për Drejtësi”.

Ish-zyrtarët tjerë të komunës, Gani Rama dhe Ismet Isufi janë dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Rama me 1 vit burgim me kusht, ndërsa Isufi me 1 vit e 6 muaj.

Në aktgjykim thuhet se dënimet me burgim ndaj të akuzuarve të lartcekur nuk do të ekzekutohen, nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh për secilin.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi gjykata kishte shqiptuar dënimin unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimin me burgim me kusht prej një 1 viti.

Trupi gjykues kishte shqiptuar edhe dënim plotësues ndaj të akuzuarve Gani Rama, Ismet Isufi dhe Pal Lekaj, që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Katër të akuzuarit gjithashtu janë obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69,786 euro, në afat prej një viti, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Pal Lekaj ka pasur përgjegjësi sipas detyrës zyrtare të kujdeset, mbikëqyrë dhe kontrolloi menaxhimin e parasë publike.

“I akuzuari Pal Lekaj, në cilësinë e personit zyrtar si zyrtarë kryesor administrative, i cili ka pasur përgjegjësi sipas detyrës zyrtare që të kujdeset, të mbikëqyrë, kontrolloi menaxhimin e parasë publike konform Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, të vendos kontroll të brendshëm në Organizatën Buxhetore dhe përgjegjësia e tij individuale është se ka marrë vendime për ndarjen e subvencioneve dhe në ekzekutimin e pagesave dhe atë në pesë rastet nga programi buxhetor i Zyrës së Kryetarit, nga kategoria e subvencioneve edhe pse në atë kohë ka munguar rregullorja ku do të përcaktoheshin kriteret për ndarjen e subvencioneve, para se të merret vendimi për ndarjen e tyre, i njëjti nuk është kujdesur mjaftueshëm për ndarjen me kohë të mjeteve nga buxheti me destinim për subvencione në bujqësi, i njëjti ka nënshkruar pesë urdhërpagesa nga programi i subvencioneve, gjegjësisht tre nga programi I zyrës së kryetarit (Kodi Buxhetor 300), dhe dy nga programi i Drejtorisë për Bujqësi (Kodi Buxhetor 301), të cilat urdhër pagesa gjenden në shkresa të lëndës dhe janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata nuk ia ka falur besimin ekspertizës së ekspertit financiar, Riza Blakaj si dhe ekspertizës së grupit të ekspertëve financiar të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Rrustem Asllanaj, Driton Balaj dhe Arbër Hoti, ku në mendimet e tyre përfundimtare kanë konstatuar se në rastin konkret nuk kemi dëm material, mirëpo e ka pranuar në tërësi ekspertizën e ekspertit financiar Qazim Hoxha.

“Ekspertizat e tyre janë në kundërshtim me aktin zyrtar ‘Njoftimin të punuar nga drejtori për bujqësi, Bekim Ermeni, i datës 08.03.2016, për nevojat e policisë dhe prokurorisë, ku sipas kërkesës për informacion të datës 03.02.2016, ku rezulton se numri i fermerëve aplikantë është i barabartë me numrin e fermerëve përfitues dhe se ky fakt e bën të paqëndrueshëm diferencën e përllogaritur prej 253 përfituesve të subvencioneve e të cilat në ekspertizën e ekspertit Qazim Hoxha janë konsideruar si pagesa të pa mbuluara në shumën prej 69,786 euro, për të cilat nuk është theksuar se kush janë ata përfitues ngase konstatimi i ekspertit është në kundërshtim të plotë me dëshmitë e dëshmitarëve fermerë që janë marrë në pyetje, e ku shumica e tyre kanë deklaruar se nuk kanë marrë subvencione edhe pse kanë qenë në listën e përfituesve andaj këtë konstatim të ekspertit gjykata e ka refuzuar si të pabazuar, por e ka pranuar në tërësi ekspertizën e ekspertit Qazim Hoxha ku në konstatimin e tij ka konstatuar se bazuar në ekzaminimin e provave shkresore, përkatësisht listave të shpërndarjes së artikujve në terren që i kemi në dispozicion vlerësojmë se të pandehurit me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në vlerë prej 69,786 euro”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata nuk ia ka falur besimin as raportit final të ATK-së sa i përket shmangies së tatimit nga ana e të akuzuarit Veli Hajdaraga, që ishte në shumën prej 35,350 euro, mirëpo lidhur me këtë pjesë ia ka falur besimin ekspertizës plotësuese të ekspertit financiar Riza Blakaj dhe grupit të ekspertëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. /Insajderi.com