Lajme

Deklaratat kërcënuese të Vuçiç – Majko: S’duhet parë si provokim

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është i vetmi nga qeveria Rama që është shprehur publikisht për deklaratat e karakterit kërcënues të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Majko tha se ato nuk duhen parë si provokim, por si protokoll të vërtetë të marrëdhënies Kosovë-Serbi, që deri më tani rezulton konflikt i ngrirë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Mendoj që nuk duhet parë si provokim apo retorikë, por një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin. Aktualisht nuk mendoj se jemi duke parë ndonjë surprizë, por vazhdimësinë e një lloj papërgjegjshmërie, e cila u deklarua më së fundmi. Është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë”, u shpreh ministri Majko.

“Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe pastaj me BE-në. Mendoj që konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve është një konflikt i ngrirë. Është një konflikt që menaxhohet nga Moska dhe Vuçiç është thjesht një nënprodukt i kësaj politike. Mendoj që deklarimet e Moskës dhe ministrisë së Jashtme të Rusisë lidhur me shkuarjen në Hagë të drejtuesve të UÇK-së e vërteton shumë qartë këtë”, vijoi Majko.

Ai tha më tej se Serbia është një nga shtetet që po armatoset më shumë në rajon, dhe se ky armatim sipas tij nuk po bëhet për gjueti rosash.

“Besoj që cilido e ka parë që Serbia është një nga shtetet që po armatoset në mënyrën më të vrullshme në krahasim me vendet e rajonit. Nuk besoj se ky armatim është për gjueti rosash. Është një politikë që i përgjigjet pikërisht kësaj që më fund u deklarua si protokoll i konfliktit të ngrirë. Bëhet fjalë për strategji për të krijuar fqinj me status gjysmë shtetëror duke filluar nga Bosnja tek Kosova dhe tani mesa duket do të kapë edhe Malin e Zi”, tha ministri i Shtetit për Diasporën.

LEXO EDHE:

Aleksandër Vuçiç kërcënon me luftë Kosovën, e krahason me Karabakun


Etiketa: , , ,