Opinione

Definicioni dhe përllogaritja e pagës minimale

Aktualisht, në Kosovë si problem në vete në fus

Aktualisht, në Kosovë si problem në vete në fushën e tregut të punës, paraqitet përcaktimi i pagës minimale. Paga minimale paraqet nivelin me të ulët të kundër vlerës që punëdhënësi i paguan punëtoreve për punën e bërë. Andaj, me qëllim që të mbrohen punëtorët me paga të ulëta, Qeveria (shteti) në mënyrë ligjore përcakton pagën minimale. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, sindikata në rastin tonë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me Marrëveshje kolektive, mund të negociojnë me Qeverinë për përcaktimin e nivelit të pagës minimale. Në praktikën e deri tanishme, nuk është arritur ndonjë marrëveshje e tillë, dhe pagën minimale e ka caktuar Qeveria pa ndonjë kriter, por sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre. Si temë aktuale dhe me prioritet para Qeverisë dhe BSPK-së, pa dyshim është përcaktimi i pagës minimale në mënyrë reale dhe objektive, e cila që nga viti 2011 nuk është zgjidhur. Andaj, me qëllim që përcaktimi i pagës minimale nga ana e Qeverisë dhe i negociuar dhe në pajtueshmëri me BSPK-ën, të bëhet sipas kritereve që llogaritet “shporta” e jetesës, në vazhdim të këtij shkrimi, me një analizë empirike, sjellim modelin ndërkombëtar në bazë të të cilit llogaritet paga minimale.

Marrëdhënia e punës paraqet burimin kryesor të pagës. Në Kosovë mbi 80,0% e popullsisë, burim kryesor material (financiar) e kanë pagën.  Në kontekst të kësaj, duhet potencuar se, çështja e punësimit, përkatësisht papunësisë në Kosovë paraqet problem vital të ekzistencës së popullatës në vendin tonë. Andaj, punësimi, përkatësisht papunësia që është me normë shumë të lartë, e cila sipas të dhënave publike të ASK-së,  në vitin 2019 ishte 25,7%, te meshkujt 22,6%, te femrat 34,4% (në fakt sipas Bankës Botërore ajo është mbi 45,0%), nuk paraqet vetëm problem ekonomik, por edhe politik, shoqëror, social e psikologjik.

Paga paraqet vlerën kompozuese, të cilën punëdhënësi (ndërmarrja, firma etj.) ia paguan punëmarrësit (punëtorit) për punën e bërë. Marrë parimisht, lartësia e pagës, shpreh nivelin e zhvillimit të përgjithshëm të forcave prodhuese të një vendi. Andaj, edhe niveli i pagave është i ndryshëm nëpër vende të botës, varësisht nga niveli i zhvillimit të forcave prodhuese. Para se të flasim për pagën minimale, t’i themi disa fjalë për llojin e pagave. Si nga aspekt teorik, ashtu dhe në jetën praktike dallojmë tri lloj pagash, e që janë:

a) Paga bruto, që të punësuarit i caktohet në kontratë pune, e që paraqet pagën nominale,

b) Paga neto, paraqet vlerën e pagës që e merr punëtori, kur nga paga bruto, zbriten tatimet dhe kontributet. Paga neto si e tërë, nuk paraqet fuqinë blerëse të punëtorit. Andaj, kur nga paga neto, paguhen obligimet dhe shpenzimeve komunale, ajo që mbetet paraqet fuqinë blerëse të punëtorit. Kjo njëherit paraqet pagën reale, e cila shpreh fuqinë blerëse të punëtorit, d.m.th. se çka mund të blejë punëtori me atë nivel page. Me fjalë të tjera, paga reale përfaqëson raportin me koston e jetesës. Kjo do të thotë se niveli i pagës reale duhet të jetë në atë vlerë që plotëson “shportën” jetësore të punëtorit. Andaj, nga kjo del konstatimi se nuk është me rëndësi sa është vlera e pagës nominale, por sa është vlera e pagës reale, sepse ajo shpreh fuqinë blerëse dhe standardin jetësor të punëtorit dhe

c) Paga minimale, e cila përcaktohet në bazë të “shportës” jetësore, përkatësisht indeksit të çmimeve me pakicë.  

Në vazhdim do të prezantojmë kuptimin dhe llogaritjen e pagës minimale. Ende nuk kemi ndonjë model, apo formulë unike për llogaritjen e pagës minimale. Për këtë arsye, ajo llogaritet në forma të ndryshme, duke u bazuar kryesisht në kritere ekonomike dhe sociale. Paga minimale, sikurse edhe paga nominale dhe reale, varet nga niveli i zhvillimit të forcave prodhuese të vendit përkatës. Më sa dihet, në Kosovë ende nuk kemi ndonjë qasje të llogaritjes së pagës minimale në bazë profesionale-shkencore, apo sipas kritereve të caktuara, që merren me rastin e përcaktimit të pagës minimale. 

Përcaktimi i nivelit të pagave nga marrëdhënia e punës, përcaktohet në bazë të disa parametrave, apo më mirë me thënë disa kritereve, siç janë: niveli arsimor, përvoja e punës, natyra e punës, përgjegjësia në punë etj. Po ashtu, edhe me rastin e përcaktimit të pagës minimale ekzistojnë kritere në bazë të të cilëve përcaktohet paga minimale. Vetëm tek ne në Kosovë, borëm deri më tani, paga minimale është përcaktuar me marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës me “zgjate dorën”, por jo në bazë profesionale, ashtu si llogaritet në të gjitha vendet e botës, pra në bazë të shportës” të jetesës. Me këtë rast duhet bërë dallimin ndërmjet pagës minimale dhe minimumit jetik (ndihmat sociale), pra nuk duhet përzier këto dy terma.

Siç dihet, treguesi më relevant që shpreh nivelin e jetesës së popullsisë, e që merret si kriter botëror, është minimumi jetik ose “shporta” e jetesës, apo siç mund të quhet ndryshe barometri i varfërisë. Andaj, për të parë nivelin e jetesës, duhet llogaritur dhe përcaktuar në mënyrë profesionale e institucionale, sipas metodologjisë ndërkombëtare “shporta” e jetesës, përkatësisht minimumi jetik. Shporta e jetesës, apo minimumi i ekzistencës, përcakton dhe shpreh nivelin e domosdoshëm të të ardhurave (të hyrave-buxhetit familjar), apo të individit dhe anëtarëve të familjes së tij, për t’i plotësuar nevojat e mbijetesës minimale, apo si thotë populli “për të mbajtur frymën gjallë sa për të gjallëruar”, në periudhë të caktuar kohore. “Shporta” e jetesës, gjithkund në botë, andaj edhe tek ne duhet të llogaritet në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë (anglisht: Consumme Price Index- CPI), ku përfshihen prodhimet ekzistenciale.

Është për të ardhur keq, por deri më tani Qeveria e Kosovës nuk e ka parë të arsyeshme të llogarisë pagën minimale në bazë të treguesit kryesorë që përcaktojnë (shprehin) kufirin minimal jetik. Paga minimale, është caktuar sipas dëshirës, apo më mirë me thënë sipas hamendjes së dikujt, pa e analizuar përmbajtjen dhe funksionin e saj. Përcaktimi i pagës minimale deri më tani në Kosovë, është bërë me vendime të akteve ligjore, e jo në bazë të kritereve përkatëse që shërbejnë për të caktuar vlerën e pagës minimale. Kështu, në vitin 2011, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, është përcaktuar me ligj paga minimale, e cila ishte e ndarë në dy pjesë kryesore. Sipas këtij Ligji, punëtorëve që ishin deri në moshën 35 vjeçare iu është caktuar paga minimale në vlerë 130 euro, kurse punëtorëve që ishin mbi moshën 35 vjeçare (35-65), vlera e pagës minimale ishte 170 euro.

Andaj, nga forma e përcaktimit, del konstatimi logjik e ekonomik, se caktimi i vlerës  të pagës minimale 130 dhe 170 euro, është bërë pa kurrfarë analize paraprake dhe kritere. Tani, vetvetiu shtrohet pyetja. Grupi punues që e ka caktuar këtë nivel të pagës minimale, në çfarë kriteresh është bazuar?! Apo, me çfarë formule është arritur se paga minimale në Kosovë duhet të jetë e ndarë dhe në vlerë 130 dhe 170 euro? Së pari, do të thoja se, përcaktimi i nivelit të tillë të pagës minimale, është bërë pa kurrfarë kriteresh dhe si i tillë është i pa justifikueshëm, jo vetëm në pikëpamje metodologjike, por edhe ekonomike e sociale, dhe, së dyti, ndarja e punëtorëve në dy grupe sipas moshës, paraqet diskriminim për grupin e punëtorëve në moshë deri në 35 vjet, aq më parë kur dihet se shumicën e fuqisë punëtore e përbënë ky grup i të punësuarave. Paga minimale duhet të jetë lineare, e jo diferenciale sipas grupeve moshore. Kjo për arsye se përmbushja e nevojave jetike, është e njëjtë për të gjitha moshat, nuk është më e vogël për punëtorët e grup moshës deri në 35 vjet, e më e madhe për grup moshën e punëtorëve mbi 35 vjet. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, qëllimi i pagës minimale është që të ruhet standardi jetësor i të të punësuarve me paga të ulëta. Madje, interesimi i sindikatës si aleate e klasës punëtore për të përcaktuar pagën minimale, është që të nxisë Qeverinë të ndërhyjë në tregun e punës dhe të vejë një barazëpeshë sociale. Siç është e njohur, në të gjithë sektorët, që nga viti 2011, është ardhur deri te rritja e pagave nominale, kurse paga minimale, e cila edhe ashtu nuk ishte reale, ka mbetur e pa prekur, apo më mirë me thënë statike dhe e ngrirë. E gjithë kjo ka ndikuar që punëtorët me paga të ulëta të ballafaqohen me ekzistencën fizike, u ka ra standardi jetësor e iu është rritur varfëria dhe problemet sociale.

Andaj, paga minimale duhet llogaritur, jo sa për ta llogaritur, por është e nevojshme për të siguruar minimumin jetik të të punësuarave. Me fjalë të tjera, një gjë e tillë jo vetëm se është e nevojshme, por paraqet domosdoshmëri, sepse duhet ditur se cila shtresë e popullsisë në pikëpamje absolute dhe relative bënë pjesë në grupin (kufirin) e varfërisë. Në këtë drejtim disa përpjekje i ka bërë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), me ish Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por asnjë herë deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje për përcaktimin e pagës minimale në bazë të “shportës” jetike. Pra, këto biseda ishin të pa suksesshme, dhe sot e kësaj dite nuk kemi të përcaktuar pagën minimale në pikëpamje institucionale, e cila edhe aktualisht është 130 dhe 170 euro.

Në të gjitha vendet e botës me ekonomi të tregut, për të përcaktuar shtresat e popullsisë sipas nivelit jetësor, përcaktohen treguesit e minimumit jetik. Për këtë qëllim merren produktet kryesore që përbëjnë të ashtuquajturën “shportën” e minimumit jetik, ku përfshihen artikuj ekzistencial për jetë. Për artikujt ushqimor (ekzistencial) kjo “shportë”, apo si mund të quhet ndryshe “varfëria ushqimore-ekstreme ose fiziologjike”, e cila përfaqëson atë nivel të të ardhurave (buxhetit familjar), që mundëson mbulimin e nevojave ushqimore për të marrë kaloritë e domosdoshme për jetesë prej 2.600 cal. në ditë, caktohet sipas rekomandimeve të institucioneve botërore (FAO), si dhe nga institucionet vendore përkatëse.

Në Kosovë, ekziston disproporcioni shumë i madh ndërmjet pagave maksimale dhe minimale. Kemi paga mbi 5.000 euro, por kemi paga edhe 170 euro, bile edhe më të ulëta. Çka është edhe më e keqja, në sektorët publik, niveli i pagave është shumë i ndryshëm edhe për nivele të njëjta arsimore, caktohet nivel i ndryshëm i pagave, që varet nga vullneti dhe dëshira e menaxherit. Ky disproporcion pagash nuk arsyetohet as në pikëpamje politike, e assesi në pikëpamje profesionale.

Në vazhdim po sjellim pagën neto mesatare në Kosovë sipas sektorëve, të cilat të dhëna i prezantojmë në tabelën e më poshtme.

Tabela – 1

Nga të dhënat në tabelën e sipër cekur shihen diferencat e nivelit të pagave mesatare sipas sektorëve të pronësisë. Sidomos këto diferenca të pagave mestarë, janë rritur pas vitit 2014. Me nivel më të lartë të pagave mesatare dominojnë ndërmarrjet publike, duke pasur nga sektori publik dhe më të ulëta janë në sektorin privat.

 Në vazhdim do sjellim “shportën” e jetesës, ku janë të përfshira vetëm produktet elementare (kryesore) ekzistenciale ushqimore që janë të domosdoshme për sigurimin e ekzistencës fizike, duke mos përfshirë edhe shpenzimet e të mirave materiale jashtë ushqimore. Këto llogari janë bërë në bazë të modelit të një norme mujore ushqimore për një person që siguron diku rreth 2.600 cal. në ditë, sipas standardeve ndërkombëtare, duke llogaritur në bazë të çmimeve publike me pakicë për çdo artikull të marrur nga Vjetarët Statistikor të Republikës së Kosovës për vitet përkatëse.

Image

Tabela -2  – çmimet mesatare

Modeli i një norme mujore ushqimore për një person që siguron diku rreth 2.600 cal. në ditë, sipas standardeve ndërkombëtare.

Paga minimale ekzistuese në Kosovë, paraqet pagën më të ulët në rajon. Andaj, BSPK-ja, si aleate e klasës punëtore, duhet të luftojë dhe insistojë tek Qeveria e Kosovës, që paga minimale të caktohet në mënyrë reale dhe objektive, e cila do t’i përmbushte nevojat ekzistenciale të të punësuarve me paga të ulëta. Për këtë qëllim unë kamë bërë këtë analizë profesionale-shkencore, dhe me këtë rast kam sjellur një model, që praktikohet edhe në vendet me ekonomi të tregut, për përcaktimin e pagës minimale, duke u mbështetur në metodën shkencore dhe llogaritjen profesionale. Le të jetë ky një kontribut imi modest për klasën punëtore të Kosovës.

Andaj, duke iu referuar të dhënave të prezantuara në tabelën nr. 2, del konstatimi se minimumi jetik (supsistencial-sasia e të mirave materiale për plotësimin e nevojave të domosdoshme jetësore), për një muaj i një individi, të shprehura vetëm në gjërat ushqimore, duke i shumëzuar për katër (4) anëtarë (sipas standardit ndërkombëtar), del se në vitin 2013, paga minimale në Kosovë është dashur të ishte 273,24 euro, më 2014, do të duhej të ishte 263,28 euro, më 2016, kjo pagë do të duhej të ishte 250,64 euro, më 2018, ajo do të duhej të ishte 277,40 dhe më 2019, duhej të ishte 298,76 euro.

Tani të bëjmë një krahasim të vlerës së pagës minimale ekzistuese në raport me pagat neto mesatare në Kosovë sipas sektorëve. Kështu, paga minimale prej 130 eurove në vitin 2012, përbënte vetëm 36, 8% të neto pagave të sektorit publik, 39,0% të sektorit privat dhe 28,0% të ndërmarrjeve publike, kjo pjesëmarrje relative për pagën 170 euro ishte: 48,2%, 51,1% dhe 36,6%. Tani të shohim sa ishte pjesëmarrja relative e pagës minimale ekzistuese në pagat neto në Kosovë, sipas sektorëve në vitin 2019. Vlera e pagës minimale ekzistuese prej 130 euro, merrte pjesë relative në pagën neto të sektorit publik me 25,0%, në sektorin privat me 34,2% dhe në ndërmarrjet publike me 18,4%, ndërkaq pjesëmarrja relative e pagës minimale prej 170 euro, ishte: 32,6%, 44,7%, 24,0%.

Ndërkaq, nëse do të kishim paga minimale sipas të dhënave që i kemi nxjerrë në tabelën nr. 2, do të kemi krejtësisht pjesëmarrje relative tjetër të vlerës së pagave minimale ndaj pagave mesatare neto në Kosovë.  Me këtë rast, pjesëmarrja relative e pagës minimale në vitin 2013, ndaj pagës neto mesatare të sektorit publik do të ishte 76,7%, të sektorit privat 82,0% dhe të ndërmarrjeve publike 55,6%. Kjo pjesëmarrje për vitin 2016, do të ishte: 55,9%, 74,5% dhe 42,8%, e cila pjesëmarrje në vitin 2019, do të ishte: 57,6%, 78,7% dhe 42,3%.

Andaj, nga të dhënat e sipër cekura, mund të konkludohet se paga minimale ekzistuese, as për afërsisht nuk i plotëson nevojat e sigurimit të ekzistencës fizike të të punësuarve me paga të ulëta. Niveli i këtyre pagave, as për afërsisht nuk i përgjigjet “shportës” së jetesës. Kështu, duke u bazuar në nivelin e pagave nominale, neto dhe veçmas të pagës minimale, nuk është vështirë të konstatohet se fuqia blerëse e tyre është e vogël, në krahasim me shpenzimet jetësore, që reflektohet drejtpërdrejt në nivelin e ulët të standardit jetësor të popullsisë së Kosovës dhe ka kushtëzuar varfëri te pjesa më e madhe e popullsisë. Kemi një shtresë të popullsisë, që disponon me miliona, por në të njëjtën kohë  pjesa dërmuese e popullsisë ballafaqohet me probleme sociale e të varfërisë. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë se, niveli i pagave në Kosovë, nuk i përgjigjet nivelit të çmimeve. Çmimet janë shumë të larta, në krahasim me nivelin e pagave. Ne kemi çmime evropiane, kurse paga afrikane. Andaj, nga gjendja faktike e nivelit të pagave, nuk është vështirë të konstatohet se, varfëria si ajo e përgjithshme, ashtu dhe ajo ekstreme, janë alarmante.

Kjo analizë, ka për qëllim, që të ofrojë mënyrën e përllogaritjes profesionale-shkencore sipas modelit ndërkombëtar të pagës minimale në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë. Deri më tani, Qeveria nuk ka treguar interesim për zgjidhjen e drejtë e objektive të pagës minimale. Andaj, i mbetet BSPK-së, që të insistojë dhe të bëjë presion të vazhdueshëm, te Qeveria aktuale për përcaktimin e pagës reale minimale, që do të ndikonte në përmirësimin e varfërisë dhe problemeve sociale.