Maqedoni

Data me BE-në, Zaev: Do të vazhdojmë me reformat

Reformat janë bërë, por do të thellohen me hapjen e kapitujve gjatë negociatave për anëtarësim në BE. Ky konstatim i kryeministrit, Zoran Zaev vjen si përgjigje ndaj ambasadorin francez në vend, Kristijan Timonie i cili ditë më parë deklaroi se Maqedonia e Veriut ka ngecur në reforma si pasojë e fokusit në gjeopolitikën rajonale. Zaev në një konferencë të institutit të trashëgimisë kulturore shqiptare me temë “ Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”, tha se hapja e kapitujve do të sillte përfitime të mëdha shoqërore dhe ekonomike.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar kushtet të cilat i ishin dhënë si kusht për të fituar datën për fillimin e negociatave. Kapaciteti i mëtejmë i institucioneve dhe ajo çfarë do të thotë reforma dhe transformim duhet të ndodhë përmes kapitujve, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha vendet që janë anëtare të BE-së. Duke i hapur kapitujt do të ndodhin përfitime më të mëdha në drejtim të asaj që quhet evropianizim i madh i qytetarëve, institucioneve etj- tha Zoran Zaev.

I pyetur nëse pret që në maj të 2020 në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Franca të ndryshoj mendje, Zaev shtoi se nuk dëshiron ta shfrenoj optimizmin e tij.

Unë shpresoj por sigurisht se nuk mund të jem aq optimist sa isha. Ndonjëherë optimizmi kryen shumë punë si në rastin e marrëveshjes me Greqinë dhe Bullgarinë, projekteve për një shoqëri brenda vendit, reformat, ekonomia dhe rezultatet me të cilat krenohem. Janë potencial që na frymëzon që neve të punojmë edhe më shumë, ndërsa BE-ja kur të vendos le të na thotë- shtoi Zaev.

Timonie ditë më parë deklaroi se Franca nuk mban përgjegjësi për atmosferën e rrejshme që është krijuar në Maqedoninë e Veriut për gjoja marrjen e datës për bisedime dhe se vendi duhet fokusuar në reforma, me theks të veçantë ato në gjyqësor. Në prag të samitit të tetorit, kundrejt akuzave për bllokadë Timonie kishte deklaruar se Franca është vendi i cili motivon Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.

Adrian Kerimi                                   

Loading…