Lajme

Daçiq: Fola me Lajçakun, s’ka gjasa që dialogu të vazhdojë nëse s’ka rezultate

Nuk ka gjasa që negociatat në Bruksel të vazhdojnë nëse nuk ka rezultate të prekshme”, tha sot kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiq, duke shtuar se situata është e vështirë.

“Daçiq tha për Happy TV se vija e kuqe e delegacionit serb është njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe se “gjithçka tjetër nuk mund të bëjë dëm”.

Ai konfirmoi se këtë mëngjes ka folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për takimin e djeshëm në Bruksel.

Daçiq vlerësoi se do të jetë e vështirë të ketë dialog edhe në vazhdim nëse nuk ka rezultate të prekshme, ndërsa shtoi se ka folur me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ai (Lajçak) tha se nuk do të organizonte takime të tilla nëse nuk do të kishte rezultate, por është e qartë se ai ka durim. Unë mendoj se është mirë të kesh durim dhe se është më mirë të ulemi dhe të flasim sesa të krijojmë probleme në terren, por kjo është një çështje perspektive, sepse Kurti padyshim nuk dëshiron të merret me temat që janë në agjendë”, tha Daçiq.

Ai gjithashtu tha se deri më tani nuk ka pasur njoftim se Greqia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por që edhe nëse kjo ndodh, “Serbia ka mundësinë ta kompensojë në anën tjetër”.