Shëndetësi

COVID-19 tri herë më vdekjeprurës se gripi sezonal, zbulon një studim i madh francez

COVID-19 është tri herë më vdekjeprurës se gripi sezonal, ka zbuluar një studim i ri.

Studimi i kryer nga Instituti Francez i Shëndetit dhe Kërkimit Mjekësor (INSERM) dhe Universiteti i Dijon, krahasoi të dhënat nga më shumë se 89,500 pacientë me COVID-19 të shtruar në spital midis marsit dhe prillit dhe mbi 45,800 pacientë të shtruar në spital për gripin sezonal midis dhjetorit 2018 dhe 28 shkurt të vitit 2019

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, rezultatet e studimit u botuan të premten në revistën Lancet Respiratory Medicine.

Siç bëhet e ditur, ai tregoi që shkalla e vdekshmërisë është tre herë më e lartë në rastet me COVID-19 sesa për gripin sezonal, përkatësisht 16.9 për qind dhe 5.8 për qind.

Ndërkohë, shtrimet në spital u zbuluan se ishin dy herë më të shpeshta për pacientët me COVID-19 sesa për gripin sezonal – me një numër më të madh të pacientëve me COVID-19 të pranuar në kujdesin intensiv – 16.8 për qind kundrejt 10.8 për qind.

Qëndrimet në Kujdes Intensiv ishin gjithashtu më të gjata te pacientët me COVID-19 me një mesatare prej 15 ditësh krahasuar me 8 ditë për gripin sezonal.

Megjithatë, studiuesit kanë vënë theksin në disa gjëra.

Ata vunë në dukje për shembull se megjithëse testimi për COVID-19 ishte standardizuar në shkallë vendi, praktikat e gripit mund të kenë ndryshuar nga spitali në spital, gjë që mund të shpjegojë, pjesërisht, numrin e lartë të pacientëve të shtruar në spital për COVID-19.

Për më tepër, ata vunë në dukje se ndryshimi në nivelet e shtrimit në spital mund të jetë pjesërisht për shkak të imunitetit ekzistues ndaj gripit, ose për shkak të një infeksioni të mëparshëm ose për shkak të vaksinimit.

Catherine Quantin, një profesore në Universitetin e Dijon dhe studiuese për INSERM, theksoi se “ky studim është më i madhi deri më tani – duke krahasuar dy sëmundjet dhe konfirmon që COVID-19 është shumë më serioze sesa gripi”.

“Gjetja që shkalla e vdekjes nga COVID-19 ishte tre herë më e lartë sesa për gripin sezonal është veçanërisht e habitshme kur dikush kujton se sezoni i gripit 2018/2019 ishte më i keq në Francë për sa i përket vdekjeve në pesë vitet e fundit”, shtoi ajo.

Ndryshe, Franca është një nga vendet më të prekura në botë me më shumë se 59,600 vdekje dhe mbi 2.4 milionë infeksione të konfirmuara të COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.