Lajme

COVID-19 ndryshon rregullat në Qendrën e Studentëve

Vetëm 1 mijë e 600 studentë janë pranuar për të banuar në Qendrën e Studentëve për këtë vit akademik, ndonëse kapacitetet e kësaj qendre janë për 4 mijë studentë. Reduktimi i numrit të studentëve është bërë si masë mbrojtëse nga pandemia COVID-19.

Edhe pse studentët kanë kërkuar të lirohen nga disa pagesa, ata që do të banojnë në Qendrën e Studentëve do të paguajnë tarifat sikurse viteve të tjera pa ndonjë lirim. Madje ata do të duhet të paguajnë edhe nëse nuk e shfrytëzojnë dhomën pavarësisht vendimit të fundit qeveritar që mësimi në arsimin e lartë të vijojë online.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Studentët e pranuar do të jenë të vetëm në dhomë, ndërsa edhe në mensë, e cila do të funksionojë si “take-away” (merr me vete), janë pranuar vetëm këta studentë që do të jenë banues në konvikte si masë mbrojtëse nga përhapja e koronavirusit.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mirëpritur studentët e rinj, duke përfshirë edhe të gjitha masat për mbrojtje nga COVID-19.

“Kemi pasur diku rreth 4 mijë e 300 studentë që kanë aplikuar për 1 mijë e 600 vende që këtë vit na janë lejuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që t’i vendosim në Qendrën e Studentëve. Këto 1 mijë e 600 vende kanë ardhur si rezultat i numrit të dhomave sepse një student do të vendoset në një dhomë”, thotë ai.

Sfishta thotë se studentët e pranuar duhet të paguajnë edhe nëse nuk qëndrojnë në konvikte si pasojë e vendimit të qeverisë që mësimi të mbahet online. Megjithatë ai thotë se për ditët e mbetura të muajit nëntor nuk do të paguajnë, por pagesa do të fillojë nga muaji dhjetor.

Banimi në Qendrën e Studentëve do të kushtojë 35 euro në muaj, ku 20 euro është qëndrimi në konvikt, ndërsa 15 euro është ushqimi në mensë.

“Vendimi i fundit nuk e saktëson se nëntë prej njësive akademike ose fakultete përpos mësimit online janë të detyruar që të bëjnë punë praktike dhe laboratorike dhe nëntë nga këto njësi akademike ne i kemi ndarë kapacitetin prej 70 përqind të këtyre 1 mijë e 600 vendeve, kurse pesë fakultete të tjera i kemi 30 përqind të kapaciteteve. Pra, studentët që studiojnë në ato nëntë fakultete kanë edhe punë praktike dhe laboratorike përpos ligjëratave që i ndjekim online. […] Pagesa fillon – për informim për këto ditë e mbetura të muajit nëntor nuk do të paguajnë- do të fillojë nga muaji dhjetor, nuk kemi vendim tjetër për lirim të studentëve”, thotë ai.

Për të mbrojtur shëndetin e studentëve, Sfishta thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, derisa thekson se kanë miratuar edhe manualin se si duhet të sillen studentët banues të konvikteve.

Ai thotë se të gjitha konviktet janë të pajisura me dezinfektues, ndërsa studentëve para hyrjes do t’iu matet edhe temperatura.

“Ka më shumë se një muaj që veç i kemi marrë rekomandimet nga Instituti se si të veprohet dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që me rastin e pranimit të studentëve të mos rrezikohet shëndeti i tyre dhe të bëjmë një lloj marketingu, një lloj informimi për studentët se si duhet të sillen në këto rrethana pandemie. Ne besojmë që ia kemi arritur dhe jemi gati që t’i presim këta studentë, t’i akomodojmë dhe në një farë mënyre ta nxjerrim maksimumin që ta ruajmë shëndetin publik. […] Ne e kemi publikuar një udhëzues edhe në uebfaqe edhe në Facebook-un zyrtar të Qendrës së Studentëve dhe në atë udhëzues janë të gjitha detajet se si duhet të sillen studentët në këtë gjendje pandemie. Kjo vlen edhe për stafin e Qendrës së Studentëve dhe atë udhëzues të njëjtin çdo studentë në momentin e vendosjes do të jep një kopje me vete. Gjithashtu çdo student do të jetë i obliguar ta nënshkruajë një deklaratë të përgjegjshmërisë në mënyrë që t’i përmbahet të gjitha atyre rregullave që janë publike si nga IKSHPK, MSH dhe nga QS”, thotë ai.

Menaxhimi me studentët në këtë kohë kur vendi po përballet me pandeminë, Sfishta thotë se është sfidë, por megjithatë shprehet se me zvogëlimin e numrit të studentëve menaxhimi është më i lehtë.

Ai deklaron se edhe në mensë do të ushqehen vetëm 1 mijë e 600 studentët që do të jenë banues të konviktit, e për mbrojtje nga COVID-19 studentëve do t’iu paketohet ushqimi e do ta marrin me vete.

“Në mensë do të ushqehen vetëm këta studentë që janë pranuar në konvikte, nuk ka sikurse viteve të kaluara që kanë mundur të ushqehen edhe një numër i caktuar i studentëve që nuk banojnë në konvikte, pra do të ushqehen 1 mijë e 600 studentë. Edhe në mensë i kemi marrë masat e nevojshme, me vendimin e fundit të qeverisë ne jemi të obliguar që studentëve t’iu paketohet ushqimi dhe të vijnë ta marrin me vete dhe të ushqehen nëpër dhomat e tyre”, thotë Sfishta.

Konkursi për pranimin e studentëve ka qenë i hapur nga data 26 tetor deri më 07 nëntor 2020, ndërsa afati i ankesave për ata që nuk janë pranuar është në datat 16 dhe 17 nëntor.