Shqipëri

Conte në takimin me Ramën: Mosnisja e negociatave, gabim historik

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, sot p

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, sot priti kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në një takim në Romë, ndërsa në konferencën e përbashkët për media, ai e quajti si një “gabim historik” vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) për mosnisjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin, raporton AA.

“Siç kam thënë menjëherë pas vendimit të Këshillit të BE-së për shtyrjen e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe sot e përsërsis se ky është një gabim historik. Italia do të jetë në vendin e parë për sa i përket mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë”, tha Conte.

Ai tha se marrëdhëniet ekonomiek midis Italisë dhe Shqipërisë janë në nivel shumë të mirë.

“Ne kemi formuar një komision ekonomik permanent për të caktuar mundësitë për zhvillimin e kompanive tona dhe njëkohësisht për të analizuar kontestet që vahdojnë midis kompanive italiane dhe autoriteteve shqiptare”, tha Conte.

Ai po ashtu theksoi se rreth 30 mijë shqiptarët që jetojnë në Itali kontribuojnë në ekonominë italiane dhe përbëjnë një shembull të mrekullueshëm të integrimit.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama falënderoi homologun e tij italian për mbështetjen e ofruar që Tirana dhe Shkupi t’i nisin negociatat e anëtarësimit.

Rama tha se BE-ja ua mohoi këtyre dy vendeve atë që e merituan, duke shtuar se për Shqipërinë nuk ekziston rrugë tjetër përpos integrimit të plotë.

Sipas tij, BE-ja dha një mesazh të dobësisë me mosfillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se janë të bindur se do të përparojnë në këtë rrugë në saje të partnerëve dhe miqve si Italia.