Lajme

CNN: Gjashtë në dhjetë shikues thonë se Bideni mposhti Trumpin në debat

Gjashtë në dhjetë ndjekës të debatit të parë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kandidatit për president nga Partia Demokratike Joe Biden, thonë se ky i fundit e fitoi përballjen e para zgjedhjeve të 3 nëntorit, sipas një sondazhi të shikuesve në CNN.

Në intervistën me të njëjtit votues para se të mbahej debati, 56 për qind e njerëzve janë shprehur se presin që Bideni të bëjë punë më të mirë, derisa 43 për qind ishin pro Trumpit.

Rezultati i sondazhit pas debatit është i ngjashëm me atë të vitit 2016 kur Hillary Clinton, kandidatja demokrate për presidente, kishte mposhtur Trumpin 62 me 27 për qind.

Rreth dy e treta e përgjigjeve të Bidenit u panë më të sakta se të Trumpit dhe sulmet e tij ndaj presidentit u konsideruan shpesh të drejta. Në përgjithësi, 69 për qind e sulmeve të Bidenit u konsideruan të drejta, ndërsa vetëm 32 për qind të atyre të Trumpit u panë si të tilla.

Studimi është një lloj përfaqësimi i votuesve që kanë parë debatin e së martës, por nuk përfaqëson pikëpamjen e të gjithë amerikanëve.

Sondazhi i CNN-it u krye përmes telefonit dhe intervistave me 568 votues që shikuan debatin e 29 shtatorit. Rezultatet kanë margjinë gabimi prej 6.3 për qind. Respondentët u intervistuan nga data 22 deri 27 shtator.