Kosovë

Cili pritet të jetë vendimi i nesërm i Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Arifi, flasin ekspertët

Të mërkurën në ora 10:00, Gjykata Kushtetuese pritet të vendos për ligjshmërinë e qeverisë Hoti. Në këtë seancë gjyqësore Kushtetuesja do të jap edhe verdiktin rreth kushtetutshmërisë së votës së deputetit ashkali, Etem Arifi e cila ishte vendimtare për formimin e qeverisë së tanishme, ani se ishte i dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Por me këtë nuk ishte pajtuar Lëvizja Vetëvendosje e cila i është drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Por cilat janë gjasat që qeveria Hoti të bie?

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Kushtrim Palushi tha për gazetën Objektiv që kjo gjykatë ka gjasa që votën e deputetit Arifi për formimin e qeverisë së tanishme ta shpallë të pavlefshme.

Ai ka treguar edhe zhvillimet e tjera që mund të ndodhin, nëse vota e Arifit shpallet e pavlefshme.

 “Gjykata Kushtetuese ka gjasa të shpallë votën e deputetit Etem Arifi si të pavlefshme për faktin se i njëjti ka humbur mandatin e tij si rezultat i dënimit me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale. Neni 70, paragrafi 3.6 thekson se deputetit i mbaron mandati në rast të dënimit për vepër penale me një apo më shumë vjet. Nëse një gjë e tillë ndodhë, pra nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se vota e deputetit Arifi ka qenë e pavlefshme, kjo nënkupton se çështja e votimit të qeverisë Hoti kthehet në pikën zero dhe Kuvendi i Kosovës do t’i duhet edhe njëherë të votojë për qeverinë. Nëse në rivotim qeveria nuk merr numrin e nevojshëm të votave brenda afatit prej 60 ditësh, atëherë Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Palushi.

Ndryshe nga Palushi, avokati Mentor Beqiri mendon se vota e Etem Arifit nuk ka qenë e pavlefshme. Ai konsideron që vota e 62 e deputetit ashkali pro qeverisë Hoti ka qenë legjitime.

“Vota e Etem Arifit nuk ka qenë e pavlefshme për shkak se ne momentin kur Etem Arifi është dënuar nga Gjykata e Apelit në vitin 2019, ai ka qenë pjesë e legjislaturës së kaluar, por gjykata nuk ia ka hequr të drejtën që të zgjidhet nga populli – vetëm e ka dënuar me burgim efektiv prej 15 muajsh. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2020, Etem Arifi është zgjedhur si deputet dhe prandaj vota e tij ka qenë legjitime. Mënyra e vetme për t’iu marrë mandati pasi që është zgjedhur deputet, ka qenë dorëheqja e tij ose mungesa e tij ne Kuvend për 6 muaj pa ndërprerë – gjë e cila do realizohet nesër, pasi qe nga data 3 Qershor ai është dorëzuar për të vuajtur dënimin”, theksoi Beqiri.

E avokati tjetër Ahmet Tahiri mendon që kjo qeveri nuk ka autoritet për t’i çuar proceset përpara as numrat në kuvend.

“Derisa jemi në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar anën ligjore, në praktike kjo Qeveri që nga themelimi ka dëshmuar se nuk e ka autoritetin për të çuar proceset përpara dhe as numrat ne Kuvend. Dështimi i votimit të Pakos Emergjente Ekonomike për disa herë me radhë, mos votimi edhe i projektligjeve me bazike, kanë lënë të nënkuptojnë se ose duhet të krijohet një Qeveri më e zgjeruar, ose vendi të shkojë në zgjedhje. Shkuarja ose jo e vendit në zgjedhje në masë të madh varet nga vullneti i partive politike, shumica e të cilave së paku deri me tani kanë lenë përshtypjen se me parë janë të interesuara ta ndajnë pazarin për ndarjen e pushtetit sesa ta konfirmojnë legjitimitetin dhe të maten me votë para popullit”, përfundoi Tahiri.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese përmes një njoftimi për media ka publikuar detaje për seancën dëgjimore që pritet të mbahet nesër, e ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Seanca do të transmetohet drejtpërdrejtë përmes video-konferencës, përmes platformës Zoom.