Opinione

Çfarë mund të mësojë bota nga pandemia e koronavirusit?

Nga Martin Wolf

Gjëja e vetme më e rëndësishme që kemi mësuar deri tani nga Covidi-19, është se sa dëm mund të shkaktohet nga një pandemi relativisht e butë krahasuar me standardet historike afatgjata. Ta quash pandeminë të “butë” nuk do të thotë të nënvlerësosh vuajtjet që ajo ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë, përpara se të nisë një program i efektshëm vaksinimi në nivel global.

Por, nga ana tjetër, Covidi-19 ka treguar një cenueshmëri sociale dhe ekonomike shumë më të madhe sesa e imagjinonin ekspertët. Është e rëndësishme ta kuptojmë se përse ndodh kjo dhe të mësojmë se si të menaxhojmë më mirë ndikimin e sëmundjeve të tilla në të ardhmen.

Në një studim të fundit, David Cutler dhe Lawrence Summers nga Universiteti i Harvardit, e vlerësojnë koston totale të Covidit-19, vetëm në ShBA, në 16 trilionë dollarë ose 75 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të një viti në ShBA.

Gati gjysma e saj është vlera kumulative e PBB-së së humbur, e vlerësuar nga Zyra e Buxhetit në Kongresin amerikan. Pjesa tjetër është kostoja e vdekjeve të parakohshme dhe dëmet ne shëndetin fizik dhe mendor, sipas vlerave të përdorura zakonisht për ekonominë më të pasur dhe më të madhe në botë.

Ata gjykojnë se kostoja totale është katër herë më e madhe e ajo e recesionit që pasoi krizën financiare të vitit 2008. Nëse kostoja për botën do të ishte gjithashtu në nivelin 75 për qind e PBB-së vjetore, kjo shumë do të ishte rreth 96 trilionë dollarë, me kurset e këmbimit të barazisë së fuqisë blerëse.

Mendoj se kjo shumë është me siguri një mbivlerësim. Gjithsesi, kostoja është e madhe.

Deri më tani, numri global i të vdekurve nga Covidi-19 vlerësohet në 1.4 milion. Tani ka thuajse 10 mijë vdekje në ditë ose rreth 3.5 milionë në një vit.

Nëse do të ruhet ky ritëm, vdekjet kumulative gjatë dy viteve të para mund të arrijnë afro pesë milionë, ose pak më shumë se 0.06 për qind e popullsisë globale. Për ta vënë këtë në kontekst, Gripi Spanjoll që u shfaq në vitin 1918, zgjati 26 muaj dhe mori diku midis 17-100 milionë jetë njerëzore, ose midis 1-6 për qind të popullsisë së atëhershme globale.

Një numër i krahasueshëm i vdekjeve për Covidin-19 sot do të ishte midis 80 dhe më shumë se 400 milionë. Disa pandemi, veçanërisht Vdekja e Zezë në shekullin XIV, kanë qenë shumë më vdekjeprurëse edhe se gripi spanjoll.

Një raport i vitit 2006 nga CBO argumentonte se “një pandemi që përfshin një lloj gripi shumë virulent (si ai që shkaktoi pandeminë e vitit 1918), mund të sillte një ndikim afatshkurtër në ekonominë botërore, i ngjashëm në thellësi dhe kohëzgjatje me atë të recesioni mesatar të pasluftës që ndodhi në ShBA”.

Por, gripi spanjoll vrau rreth 675 mijë amerikanë nga popullsia e atëhershme prej vetëm 103 milionë. Kjo shifër është sot ekuivalente me mbi dy milion viktima. Nëse CBO do të kishte të drejtë, ndikimi ekonomik i kësaj pandemie do të kishte qenë shumë më i vogël se sa ka qenë realisht.

Një studim i ngjashëm për Komisionin e BE-së, botuar gjithashtu në vitin 2006, mbërriti në përfundimin se “ndonëse një pandemi do të shkaktonte shumë vuajtje njerëzore, ka shumë të ngjarë të mos përbënte një kërcënim të rëndë për makroekonominë evropiane”.