Bota Kosovë

Çfarë do të thotë për Ballkanin, presidenca e Joe Bidenit

Pritshmëria është që ekipi i Bideni do të përfshihet shumë më tepër në çështjet transatlantike. Vendet e Ballkanit duhet të jenë të përfshira në diskutimet e pritshme.

Amerikanët ende kanë pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e tyre, madje edhe një muaj pas zgjedhjeve presidenciale. Por, për evropianët në përgjithësi dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti, disa gjëra janë të qarta. Stili i politikës së jashtme amerikane do të ndryshojë dhe ai do të përputhet më shumë me përpjekjet dhe preferencat e Bashkimit Evropian (veçanërisht me të Gjermanisë) kur bëhet fjalë për çështjet e paqes dhe të ardhmes së Ballkanit. 

Ky me ngjashmëri do të jetë rasti për procesin e anëtarësimet në BE të aspirantëve nga Ballkani Perëndimor, por edhe për skemat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik. Pas një periudhe diplomacie krijuese, (por shpeshherë të paqëndrueshme) nga ana e administratës Trump, ekipi i Joe Bidenit ka shumë të ngjarë të jetë i kujdesshëm, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm. Mbi të gjitha, çështjet e Ballkanit do të lidhen me pyetje të tjera shumë të rëndësishme transatlantike. Me këtë situatë të përgjithshme në sfond, do të ishte zgjuarsi për udhëheqësit e Ballkanit të shihnin çështjet e tyre në kontekstet më të gjera transatlantike, sesa thjesht nga perspektiva tipike e brendshme e Ballkanit.

Është tashme gjerësisht e pranuar se integrimi euroatlantik i rajonit ka dëshmuar një “lodhje të përgjithshme nga zgjerimi” në vendet dhe institucionet e Bashkimit Evropian, shoqëruar me një oreks të zvogëluar për reforma dhe një mungesë të konsiderueshme të progresit të përgjithshëm në rajon. Mosmarrëveshjet mbeten një plagë e hapur në një rajon të ngulitur me ndarje politike dhe etnike, duke shkaktuar frika se krizat etnike, institucionale dhe politike mund të shkaktojnë konfrontime të reja etnike dhe gjeopolitike. Këtyre çështjeve u shtohet edhe dëmi i tmerrshëm ekonomik dhe pasojat katastrofike sociale që pandemia e koronavirusit është duke shkaktuar në strukturën e shoqërisë civile në një rajon, në disavantazh kritik krahasuar me vendet e BE-së.

Teksa Bashkimi Evropian, përmes instrumenteve të tij politike dhe ekonomike, është përqendruar në zhvillimin e Ballkanit dhe mbajtjen gjallë të joshjes së procesit të integrimit, në një rajon ku aktorë të rinj malinjë po fitojnë shpejt ndikim, vitet e ardhshme do të jenë një test i vërtetë për Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin transatlantik. Ndërsa anëtarësimi i plotë në BE do të zgjasë për shumë vite, Perëndimi politik ka nevojë për një strategji vizionare të ndërmjetme për të përmirësuar zhvillimet demokratike, për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të nxitur pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Por, kjo është një rrugë dykalimëshe dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të zgjuar në kërkimin dhe kapjen e mundësive të reja.

Në frontin e zhvillimit ekonomik, ne duhet të presim (dhe me të vërtetë të shpresojmë) një vëmendje të shtuar të Shteteve te Bashkuara të Amerikës ndaj përpjekjeve të bashkëpunimit bilateral, si, për shembull, përmes projekteve të Korporatës të Financave të Zhvillimit (Development Finance Corporation), ose për mbështetje për planet më të gjera evropiane, të tilla si Procesi i Berlinit, i udhëhequr nga Gjermania, apo investimet e reja evropiane prej 9 miliardë eurosh si pjesë të Planit Ekonomik dhe agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, nuk ka gjasa që këto projekte thjesht të ecin përpara vetë. Përkundrazi, ato do të shihen në një kontekst më të gjerë të ristrukturimit të përparësive amerikane dhe evropiane, në çështje të tilla si: rregullat e tregtisë transatlantike, pasojat e Brexit-it, rindërtimi e rirregullimi i sektorëve kryesorë të ekonomisë globale pas rimëkëmbjes së shpresuar pas pandemisë shkatërruese të koronavirusit dhe ndoshta më e rëndësishmja, përafrimi dhe konvergjenca e politikave të SHBA-ve dhe BE-së ndaj Kinës.

Zhvillimet kryesore për t’u parë me kujdes janë ato që do të ndodhin në 2021 dhe më gjerë, me zinxhirët globalë të prodhimit dhe furnizimit, veçanërisht për artikujt kritike dhe strategjike, siç janë për shembull pajisjet e shëndetit publik. Është e arsyeshme që Evropa dhe Amerika të përpiqen të hartojnë një politikë të përbashkët ekonomike ndaj Kinës, duke i kushtuar kështu një vështrim të ri edhe ndikimit të investimeve kineze në infrastrukturën evropiane, ose të lidhura drejtpërdrejt me Nismën e Belt and Road apo iniciativën “17+1”, për të gjetur mënyra të reja për të përmbajtur zgjerimin kinez në Evropë. Në këto dhe në fusha të tjera kritike për të ardhmen e vendeve të Ballkanit, udhëheqësit lokalë do të ishin të zgjuar të mos konkurronin për burime apo të përpiqeshin të vendosnin gjigantët globalë kundër njëri-tjetrit, por më shumë të kuptonin se ku përshtaten përparësitë e tyre ekonomike në planet e përgjithshme të një vizioni të ri euroatlantik. Kjo pikëpamje mund të mos e vendosë Ballkanin në krye të tryezave të negociatave, por në njëfarë mënyre mund të nënkuptojë që Ballkani të njihet si një derivat i çështjeve më të mëdha, që kapin interesin e Uashingtonit, Parisit ose Berlinit.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, mund të pritet që ekipi i Bidenit t’u përgjigjet në mënyrë me të favorshme pretendimeve të deklaruara shpesh nga aleatët evropianë se siguria është më shumë sesa ajo tradicionale e “hard power”. Jo vetëm në bisedimet me BE-në, por edhe brenda selisë qendrore të NATO-s, ka të ngjarë qe të dëgjohen më shumë biseda për çështje të sigurisë duke filluar nga siguria kibernetike dhe lufta asimetrike, deri te zhvillimi i gjeneratave të reja të armatimit të teknologjisë së lartë. Është gjithashtu e sigurt se priten më shumë diskutime mbi dimensionet e sigurisë së pandemive (duke pasur parasysh supozimet se koronavirusi ka të ngjarë të mos jetë kriza e fundit e shëndetit publik, me të cilin përballemi), dhe ndoshta më intrigues, ndikimi i ndryshimit të klimës mbi sigurinë. Emigracioni është një çështje kryesore për të gjitha qeveritë evropiane, por modelet e emigracionit padyshim që do të ndikohen në vitet që vijnë nga shkretëtirëzimi, aksesi mbi ujin e pijshëm dhe pasoja të tjera klimatike që do të ndikojnë në rajone të mëdha në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Në këtë drejtim, vendet e Ballkanit janë në vijën e zjarrit si korridori më i mundshëm i tranzitit njerëzor për lëvizjet e migrimit masiv bazuar në ndryshimin e klimës. Udhëheqësit e Ballkanit do të ishin të mençur të punonin ngushtë me ekspertët e sigurisë euroatlantike për të demonstruar se ata mund të luajnë një pjesë kryesore në përgjigjen për shqetësimet e sigurisë së të gjithëve.

Asnjë nga këto rreziqe e kërcënime transnacionale nuk janë të reja. Krerët e shteteve të Ballkanit janë përballur me këto për vite me radhë. Ajo që është e rëndësishme tani, në këtë pikë të veçantë vlimi, është se vendet e mëdha dhe të pasura të Perëndimit do të punojnë ngushtë me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje. Shtetet ballkanike duhet të përpiqen të jenë pjesë e këtij diskutimi, në vend që të vazhdojnë të fokusohen tek ankesat e lodhura publike për premtimet e pambajtura të Perëndimit, ose, më keq, të vazhdojnë të përqendrohen në grindjet e brendshme të rajonit. Temat e tilla si pranimi i Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë në institucionet perëndimore evropiane, ose marrëdhënia midis Kosovës dhe Serbinë, apo krizat e vazhdueshme qeverisëse në strukturën e vështirë të organizimit të Bosnje-Hercegovinës, duhet të rishikohen në kërkim të zgjidhjeve të shekullit të 21-të, që janë bazuara mbi vlerat themelore të BE-së. Tani është koha për të hapur këndvështrimin dhe për t’i dhënë fotos rajonale gjerësi dhe thellësi më të madhe. Kur Zonja Von der Leyen njofton se janë katër fusha kryesore, në të cilat BE kërkon të punojë me Amerikën (ku përfshihet Ballkani); dhe kur Antony Blinken shpjegon se multilateralizmi do të jetë parimi kryesor i politikës amerikane; udhëheqësit e Ballkanit duhet ta bëjnë veten pjesë të kësaj bisede transatlantike. /Botuar në: “The National Interest”/

(Valbona Zeneli është profesoreshë dhe drejtoreshë e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center)

Cameron Munter është diplomat dhe akademik amerikan. Ai ka shërbyer si ambasador i ShBA-ve në Serbi dhe Pakistan, si edhe drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë)./Top Channel.