Bota Lajme

Çekia arreston një grup që u bë gati për luftë krah separatistëve pro-rusë në Ukrainë

Njësia çeke për luftimin e krimit të organizuar ka ndaluar së paku pesë çekë të dyshuar për planifikim të udhëtimit drejt Ukrainës lindore për të luftuar krah separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Hetuesit e zyrës së prokurorisë dyshojnë se pesë personat e arrestuar po planifikonin që t’i bashkohen një grupi militant që veten e quan “Repoublika Popullore e Donetskut”, i cili e kundërshton qeverinë ukrainase dhe kontrollon një pjesë të territorit në lindje të vendit, afër kufirit me Rusinë, tha prokurori shtetëror, Martin Bily.

Sipas raportimeve të mëhershme, rreth 20 persona janë ndaluar gjatë operacionit që u zhvillua natën nga njësia speciale për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, NCOZ, shkruan Free Europe.

Arrestimi i këtij grupi u bë në kohën e tensioneve të shtuara mes Republikës Çeke dhe Rusisë për shkak dëbimit të diplomatëve të njëra-tjetrës. Përplasja lidhet me fajësimin e agjentëve rusë rreth një shpërthimi në një depo të municionit në Çeki në vitin 2014, me ç’rast kishin vdekur dy çekë.

Kryeministri çek, Andrej Babis, refuzoi që ta cilësojë terrorizëm shtetëror operacionin e dyshuar rus kundër vendit të tij anëtar i NATO-s, duke nxitur debat për raportet me Rusinë. Megjithatë, qeveria e tij e urdhëroi dëbimin e 18 diplomatëve rusë, që u pasua me dëbimin e 20 diplomatëve çekë nga Rusia si masë hakmarrëse.