Bota

Britania nuk i lë qytetarët të largohen nga vendi nga frika e një vale të tretë të COVID-19, parasheh gjoba

Mbretëria e Bashkuar blindon kufijtë mes frikës së një vale të tretë të koronavirusit. Ndalimi i muajve të fundit për britanikët, për të udhëtuar jashtë vendit, me përjashtim të rasteve të domosdoshme, është shndërruar në ligj.

Norma parashikon një gjobë prej 5 mijë paundësh për këdo që tenton të largohet nga territori britanik drejt një destinacioni të huaj pa një “arsye të justifikuar mirë”.

Mediat e Mbretërisë së Bashkuar raportojnë se pushimet jashtë vendit do të jenë të ndaluara deri në fund të qershorit.

Kjo është një ndër masat që qeveria e Boris Johnson po ndërmerr për të ruajtur ecurinë e mirë në kontrollin e pandemisë, gjë e cila po ndihmohet edhe nga fushata më e shpejtë e vaksinimit në Evropë.

Këto zhvillime vijnë teksa Britania përkujton përvjetorin e izolimit të parë kombëtar të vendosur pikërisht më 23 mars të 2020-s.

Qytetarët u ftuan të mbanin një minutë heshtje në mesditë për të nderuar ata që humbën jetën nga Covid-19.

Britania ka bilancin më të rëndë në pandeminë koronavirus në Evropë dhe raporton një total prej 4.3 milionë të infektuarish dhe 126 mijë jetë të humbura.