Lajme

Bota merr frymë lirisht!

Pas një beteje elektorale që duket se përfshiu

Pas një beteje elektorale që duket se përfshiu krejt planetin dhe çliroi mbi të një energji njerëzore që fizikisht vetëm stuhitë e krijuara atje ku kontinentet takojnë oqeanet mund të çlirojnë, Amerika ndryshoi pushtetin (shifted the power), ndryshoi liderin e saj.

Amerika largoi nga pushteti z. Trump, njeriun që harxhonte dyzet mijë dollarë në vit për mirëmbajtjen e flokëve të tij, dhe i besoi pushtetin z. Biden, njeriut që i ka shërbyer vendit për dyzeteshtatë vite duke plazmuar brenda shpirtit të tij një dashuri të pafund për popullin dhe tokën amerikane. Një dashuri që sublimohet nga dhimbja e humbjes tragjike të djalit të tij pasi ishte kthyer nga shërbimi ushtarak në Afganistan dhe shërbimi në Kosovë. Amerika refuzoi njeriun që të gjitha fjalitë i fillonte me “Unë” dhe i dorëzoi pushtetin njeriut që të gjitha fjalitë i fillon me “The United States of Amerika”, me popullin amerikan.

Reklamo bizensin tuaj ketu

***

Ndodhën shumë gjëra në këtë kalim pushteti. Disa u prekën dhe u kuptuan në mënyrë të drejtpërdrejtë, disa vetëm u perceptuan, të tjera ndoshta nuk do të merren vesh asnjëherë. Ashtu sikundër në variacione individuale të pafund u përjetuan edhe shkaqet më të thella të rezultatit në këtë kalim pushteti. Por, kur gjithçka arriti në pikën ku nuk ke ku shkon më, pra atje në fund, për miliona e miliona njerëz substanca e betejës u kuptua njësoj: beteja elektorale për përcaktimin e njeriut që do të ulet në karrigen më të rëndësishme të botës, para së gjithash dhe mbi të gjitha, u shndërrua në një betejë karakteresh, në një betejë morale, në betejën për rivendosjen e standardeve dhe energjizimin e tyre, për ringjalljen e shpirtit të popullit të pakrahasueshëm amerikan. U përplasën qindra e mijëra qëndrime, thirrje, analiza, por ajo që vendosi fatin e kësaj beteje ishte ringjallja e shpirtit, karakterit, fuqisë morale. Populli amerikan largoi më në fund nga pushteti njeriun që gjatë katër viteve shkretëtire shpirtërore, në një komunikim të zbrazur nga dhembshuria (compassion), ndjeshmëria (empathy), por të mbushur me narcissism dhe varfëri sintaksore, i çoi SHBA në drejtimin e gabuar.

***

Presidenca e z. Trump e vuri botën në kushte të një ekuilibri shumë të brishtë, gati për ta humbur atë. Nëse fillojmë nga fundi, dalja e SHBA nga OBSH duke tërhequr edhe kontributin financiar ekzaktësisht në kohën kur njerëzimi kishte më shumë se kurrë nevojë për këtë organizatë, shpreh minimalisht vrazhdësinë e një njeriu të pashpirt. Dalja e njëanshme e SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin rriti rrezikshmërinë e regjimit të këtij vendi ndaj botës, por edhe probabilitetin drejt një konflikti, drejt një lufte. Nxjerrja e SHBA nga marrëveshja e Parisit mbi klimën, në të cilën marrin pjesë 197 shtete, e vendosi planetin tonë përballë kanosjes më të madhe në krejt ekzistencën e tij, ndërsa materien inteligjente, njeriun, më shumë se në çdo rast tjetër e vuri në pozita primitiviteti, në pozita vetëvrasëse. Vetë SHBA u vunë në një pozitë qesharake, sepse tani, ndërsa shkruaj këta rreshta, jashtë marrëveshjes së klimës janë vetëm tri vende me peshë: Turqia, Irani dhe SHBA.
Le t’i shohim me kujdes veprimet e z. Trump. Ai e nxori vendin e tij jashtë nga organizata ndërkombëtare që garantojnë zgjidhjen e problemeve ekzistenciale të njerëzimit vetëm sepse janë bashkë. Për një arsye shumë të thjeshtë: problemet si pandemitë, mjedisi dhe klima, apo kërcënimi bërthamor, janë probleme që përfshijnë krejt njerëzimin. Ato ose shkaktohen prej tij, ose kërcënojnë atë si një të tërë, ose të dyja bashkë. Prandaj edhe zgjidhjet nuk mund të vijnë nga një pjesë e vendeve, përkundrazi, kur kontributi i çdo vendi integrohet në një kontribut global. Aq më shumë kur flitet për SHBA, për një vend që është lider dhe do të mbetet i tillë edhe për një kohë të gjatë.

***

Zgjedhjet në SHBA, ashtu si çdo gjë tjetër e tyre, fillojnë e zënë vend në interesin e çdo vendi tjetër në botën ku jetojmë. Dukshëm, apo në një mënyrë që është e vështirë ta konstatosh, diçka mbetet gjithmonë për të reflektuar. Shqipëria, shqiptarët dhe rajoni ku jetojmë nuk mund të përjashtohen, sigurisht. Megjithëse gjërat kryesore janë substancialisht të ndryshme dhe gati të pakrahasueshme midis SHBA dhe Shqipërisë sonë hallemadhe, te politikanët tanë gjejmë gjithashtu të shprehur rëndshëm narcisizëm, mungesën e dhembshurisë, ndjeshmërisë, standardeve morale. Ndjekim përditë komunikimin e tyre të varfër, bosh, dhe kur nuk është i tillë, pra bosh dhe pa përmbajtje, “gërvishemi” nga urrejtja që përcillet prej tij. Të shndërruar në njerëz pa parime, pa moral, gënjeshtarë dhe jo rrallë thjesht hajdutë, ata e kanë deformuar aq shumë politikën sa çdo fjalë që lidhet me patriotizmin dhe ka kontekst moral tingëllon qesharake, e panevojshme, tallje, sapo artikulohet prej tyre dhe në arealin e politikës ku jetojnë.

***

Gjithsesi, Amerika ia doli. Duke dhënë mesazhin më të bukur në botë se demokracia jep rezultate. The democracy works. Liria gjithashtu. Amerika mbeti ashtu si z. Reagan e karakterizoi: A shining city on the hill. Një qytet që ndriçon mbi kodër. Ndërsa këto zgjedhje do të mbahen mend nga fjalët e fundit të fjalimit të parë të z. Biden si president i zgjedhur: …Kini besim. Por edhe më e rëndësishme është: shpërndajeni atë…
Ndërsa shqiptarët, të kërrusur si Sizifi nga pesha e mungesës së demokracisë, përgatiten për zgjedhje në 25 prill.


Etiketa: