Shqipëri

Borrell: Shqipëria është një shembull për rajonin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realiz

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ndërkohë ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, raporton Anadolu Agency(AA).

Kryeministri Rama është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell dhe me komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Rama: Përpiqemi të ecim përpara në procesin e integrimit

Rama gjatë konferencës, duke folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, tha se “ne e kemi bërë punën tonë”.

“Shpresoj shumë fort që plani për investime në Ballkan, i prezantuar nga komisioneri Varhelyi vitin e kaluar e që tashmë po vihet në lëvizje është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomitë tona, për të forcuar bashkëpunimin tonë, për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt e më të mirë, ndërkohë që ne luftojmë e përpiqemi të ecim përpara në procesin e integrimit”, u shpreh Rama.

Duke folur për problematikat dhe vështirësitë e vaksinimit kundër COVID-19 Rama tha se “është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe për shumë anëtarë të BE-së dhe shpresoj fort që kjo situatë do të zhbllokohet.”

“Qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut apo gjithkush tjetër në rajonin tonë, kemi vetëm një gjë për të bërë, të vazhdojmë të ecim përpara”, theksoi më tej Rama.

“Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Evropian”

Borrell u shpreh se Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Evropian dhe sipas tij integrimi evropian duhet të jetë një objektiv i të gjithëve.

“Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Evropian, është një partner i besueshëm për sigurinë dhe në shumë aspekte një model, një shembull për rajonin. Shqipëria tashmë në mënyrë konsistente është 100 për qind në përputhshmëri të plotë me vendimet e politikës së BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian është në fakt edhe partneri më i fortë i Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë t’iu ndjekim dhe të iu qëndrojmë në krah në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, theksoi Borrell.

“Ne përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me agjendën e saj të reformave dhe për rezultatet që janë arritur tashmë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës”, u shpreh më tej Borrell.

Komisioneri Varhelyi gjatë konferencës duke iu referuar tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19, theksoi se sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri.

“Ne sot vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate, po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për konferencën e parë ndërqeveritare. Çështja tjetër që kemi diskutuar ka qenë kriza e pandemisë COVID-19. Në valën e parë ne u mobilizuam menjëherë dhe sollëm mbështetje domethënëse dhe të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, natyrisht edhe Shqipërisë”, u shpreh Varhelyi.

Në fokus të diskutimeve në takimin e 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ishin çështjet në lidhje me pandeminë COVID-19, ecurinë e integrimit evropian dhe procesin e reformave në Shqipëri në disa fusha dhe çështje të tjera.