Lajme

Bogujevci: Nuk ka ekzistuar vullnet për hetimin e krimeve të luftës

Saranda Bogujevci, e mbijetuara e një masakre nga njësia paraushtarake serbe e njohur si “Akrepat” e që u bë e para shqiptare që dëshmoi para një gjykate serbe për çështjet e krimeve të luftës dhe sot deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk ka ekzistuar vullnet për të çuar përpara çështjet që lidhen me krimet e luftës.

“Është problematike kjo, sa më shumë që kalon kohë më problem është, kështu që duhet të fillojmë dikur sepse po flitet shumë, është folur shumë dhe mendoj që sinqerisht nëse do të kishte vullnet deri më tani, ndryshe do t’i kishim punët”, tha Bogujevci, shkruan Gazeta Insajderi.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Bogujevci vlerëson se fuqizimi i Prokurorisë është kyç sa i përket zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë.

“Fuqizimi i prokurorisë, nuk mjafton vetëm të shtohet numri i prokurorëve, duhet të ngritët ekip përbrenda prokurorisë sepse aty duhet të ketë njerëz që hulumtojnë të dhënat që marrin, të intervistojnë”.

“Është proces më vete dhe kjo gjë merr kohë, dhe këta prokurorë me qenë të përfshirë direkt me çështjen e krimeve të luftës, përveç tjerash, që fatkeqësisht nuk është që ka edhe përvojë aq të madhe sa i përket çështjes së krimeve të luftës përbrenda Kosovës, kjo për shkak të proceseve të ndryshme, përfshirja e ndërkombëtarëve e të tjera, kështu që duhet paralelisht të ketë njëfarë ndihmese në trajnimet e nevojshme që i duhen përbrenda prokurorisë dhe duhen me qenë ekspertë”, thotë ajo.

Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë për 10 mijë e 800 shqiptarë të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, prej tyre 8 mijë civilë.

Aktualisht Kosova nuk dihet për fatin e më shumë se 1600 personave të zhdukur.