Sport

Boesel nuk e mban mend goditjen nga Krasniqi

Ish-kampioni i botës në boks, Dominic Boesel, që të shtunën humbi titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA dhe titullin IBO, ka thënë se s’e mban mend goditjen nga e cila u nokautua prej boksierit kosovar Haxhi Krasniqi.

Krasniqi në raundin e tretë kishte rrëzuar fuqishëm Boeselin për t’u bërë kosovari i parë kampion bote në boks.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Në një intervistë për “Sport im Ostein”, gjermani ka thënë se të dielën e ka përjetuar shumë rëndë humbjen. Boesel ka thënë se pas rrëzimit të parë, të cilin gjyqtari nuk e konsideroi nokdaun, është dashur të bëhej numërimi zyrtar.

“Dy raundet e para i mbaj mend, por të tretin, dhe intervistën e më pasme, jo edhe aq. E diela ishte e vështirë. Shumë gjëra më shkonin në mend pse ndodhi ashtu, por kështu e ka boksi – një goditje mjafton. Besoj se referi është dashur të numëronte kur jam rrëzuar herën e parë, por ai ka vlerësuar ndryshe. Jam munduar të mbrohem kur jam ngritur në këmbë, por nuk isha në rregull”, ka deklaruar Boesel, që ka njoftuar po ashtu se ka kryer kontrollet mjekësore pas meçit, e që rezultatet ishin të mira.

Teksa ka thënë se Krasniqi ka fituar meçin me meritë, Boesel është shprehur i gatshëm për një rimeç.

Humbja nga Krasniqi, për Boeselin ishte vetëm e dyta në karrierën me 32 meçe.

Në anën tjetër, Krasniqi ka bilanc prej 51 fitoresh e gjashtë humbjesh./24-ore.info