Lajme

“Bijat i qesim, votat i shesim”, policia nis hetimet pas grafiteve fyese në shtëpinë e Adelina Graincës

Gjatë mbrëmjes së djeshme në pjesët e murit rrethues të shtëpisë ku banon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, disa persona të panjohur kanë shkruar grafite fyese.

Policia ka bërë të ditur se rasti është raportuar mbrëmë dhe se hetimet kanë filluar.

Ferizaj 20.04.2021-21:55. Është raportuar se person-a të panjohur në disa lokacione kanë shkruar disa grafitë. Rasti vazhdon të hetohet.”

Adelina Grainca, u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, rreth dy javë ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente, ajo zgjodhi të ndërronte subjektin politik. Kaloi nga radhët e PDK-së në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Pas këtyre grafiteve kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga PDK’ja që ta dënojnë, siç ka thënë, këtë akt të shëmtuar, duke thënë se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo është përgjigja për arsyen e largimit të Graincës nga PDK’ja.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar akuzat në lidhje me grafitet fyese për ish deputeten nga kjo parti.

Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.