Lajme

Besimtarët myslimanë rikthehen në Arabinë Saudite për të kryer Umrën

Besimtarët e huaj myslimanë janë lejuar të shkojnë në Arabinë Saudite për të kryer Umrën, tetë muaj pasi ajo ishte pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Umra është një ritual që myslimanët mund ta kryejnë në çdo kohë të vitit.

Nisur nga 1 nëntori, rreth 20,000 besimtarë myslimanë do të lejohen të hynë në Xhaminë e Madhe në Mekë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Besimtarët duhet të respektojnë masa të rrepta kundër koronavirusit, përpara se të kryejnë ritualin, përfshirë edhe vetizolimin për tre ditë pas mbërritjes në Arabinë Saudite.

Të gjithë besimtarëve do t’iu kontrollohet temperatura përmes kamerave termike në hyrjet e xhamisë, do t’iu kërkohet të mbajnë maska ​në fytyrë, t’i sterilizojnë duart dhe t’i ndjekin shenjat në dysheme, për të ruajtur distancën.

Muajin e kaluar, autoritetet kanë filluar të lejojnë një numër të kufizuar të banorëve sauditë për të kryer Umrën.

Arabia Saudite e ka ndaluar Umrën në mars, në kuadër të masave që ka ndërmarrë për të frenuar pandeminë e koronavirusit.

Më shumë se 19 milionë besimtarë e kanë kryer Umrën në vitin 2019.

Arabia Saudite ka raportuar 347,282 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 5,402 vdekje që nga fillimi i pandemisë në muajin mars.