Lajme

Berisha: Takimi i dy qeverive thellon më shumë përçarjen mes dy vendeve

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, tha se

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, tha se takimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë thellon edhe më shumë hendekun dhe përçarjen midis dy qeverive të të njëjtit komb, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha shprehet se mbledhja mes dy qeverive do të duhej të shënonte një ngjarje të rëndësishme bashkëpunimi, por që nuk ndodhi.

“Miq, Mbledhja e sotme në Elbasan e Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës duhet të shënonte një ngjarje të rëndësishme bashkëpunimi midis dy vendeve. Në të vërtetë ky takim thellon edhe më shumë hendekun dhe përçarjen midis dy qeverive të të njëjtit komb”, ka shkruar ndër tjerash ai.

Kjo, sipas tij, për shkak se përballë Qeverisë së Kosovës është ulur “Qeveria e Ballkanit të Hapur”, dhe në këtë mënyrë Kosova është e rrezikuar nga “aleanca trilaterale Beograd – Shkup – Tiranë”, që ka për qëllim “rrethimin e Kosovës nga klika armiqësore serbo-shqiptaro-maqedonase”.

“Kjo sepse në Elbasan përballë Qeverisë së Kosovës ulet qeveria Zografit bis apo e Ballkanit të Hapur apo vasalitetit ndaj Beogradit, përfaqësuesi i aleancës trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë de facto aleancës së rrethimit të Kosovës nga klika armiqësore serbo-shqiptaro maqedonase.

Me këtë rast dënojë me ashpërsinë më të madhe lojën e rrezikshme të Serbomadhit Vuçiç i cili sapo bisedoi me Carin e Kremlinit për Veriun e Kosovës dhe vasalve të tij, Zografi Bis dhe Zaev që po bëjnë me rajonin tonë duke nxitur me nismën e tyre nacionalizmat e sëmura dhe konfliktualitetin në rajon”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, të premten dy qeveritë kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët në Elbasan ku kanë nënshkruar disa marrëveshje e që njëra ndër to është heqja e kontrolleve në pikën kufitare mes dy vendeve.