Lajme

Berisha: Asnjë parti shqiptare nuk ka reaguar për orkestrimin e votave nga Lista Serbe

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton B

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka thënë se është shqetësuese se asnjë parti shqiptare nuk ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me “manipulimin e votave nga Lista Serbe duke ia rritur votat partive të caktuara të komuniteteve të tjera”.

Sipas tij, ky orkestrim votash në zgjedhjet e 14 shkurtit është i rrezikshëm për vendin nëse siç ka thënë, legjitimohet ky proces.

“Shqetësimi jonë është se nëse legjitimohet ky proces janë të mundshme shumë rrezikshmëri për vendin. Vendet e garantuara do ta humbin kuptimin dhe do të keqpërdoren nga secila palë në zgjedhje sepse secili ka të drejtë të organizojë një parti politike dhe të mbledhë vota për ta dhe të devijohet vota e qytetarit. Kjo është një mundësi shumë e mirë për secilin që të manipulojë në këtë formë”, ka thënë Berisha në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka shtuar se për këtë orkestrim votash nga Lista Serbe duhet të reagojnë të gjithë sepse po cenohet Kushtetuta e vendit.

“Po e shoh se sot nuk ka në PZAP asnjë lloj ankese nga asnjë subjekt politik, pasi secili subjekt politik që ka marrë pjesë në zgjedhje ka qenë pjesë e qeverisë dhe asnjë ankesë nuk është bërë nga ndonjë parti shqiptare. Duhet të reagojnë të gjithë sepse po cenohet Kushtetuta e vendit. Ky element i shkeljes është në Nenin 111 të ligjit për Zgjedhje dhe nenit 64.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha./Insajderi.com