Kosovë

Behramaj: Vjosa Osmani po sillet si bashkëpunëtore e Prokurorisë Speciale, apo ndoshta është dëshmitare e saj?

Këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka thënë për ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, se po sillet sikur të ishte bashkëpunëtore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Madje, ai ka pyetur me ironi se a është në të vërtetë Osmani vet dëshmitare e kësaj prokurorie.

Sipas Behramit, Osmani ka krijuar lajme të rreme për t’i përdorur kundër Thaçit në Hagë, në mënyrë që këtij të fundit t’i pamundësohet lirimi me kusht.

Tutje, Behramaj akuzoi Osmanin se po ndërhyn në shërbimin civil, e që sipas tij nuk është punë e saj.

Ai madje pyeti se si është e mundur që ajo ta dijë se njëri nga kandidatët për t’u punësuar qenka familjar i një dëshmitari të speciales, derisa Osmani nuk e ka këtë listë të dëshmitarëve të mbrojtur?

Ai tutje ka thënë se “Apo mos ndoshta vetë Vjosa Osmani është dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar?”.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Behramajt:

Vjosa Osmani në bashkëpunim me KTV-në e paskan zbuluar sonte edhe një “dëshmitar” kundër Hashim Thaçit. Paramendoni në çfarë derexhe e ka sjellë Zyrën e Presidentit, saqë edhe me paragjykime se kush/ku paska pasur të punësohet në Presidencë, ia ka nisur të merret. Po sillet sikur të ishte bashkëpunëtore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke krijuar Fake Neës për t’i përdorur kundër Hashim Thaçit në Hagë, në prag të seancës së radhës, që t’i pamundësohet lirimi me kusht. Nëse Zyrës së Prokurorit të Specializuar po i nevojitet një argument publik kundër Hashim Thaçit, me bashkëpunëtorët nga politika, shoqëria civile dhe mediat në Kosovë, po e krijojnë atë dhe më pas po e përdorin kundër tij, duke e përdredhuar sipas dëshirës.

Fillimisht, Vjosa Osmani po bën ndërhyrje flagrante në shërbimin civil, gjë që nuk është as përgjegjësi dhe as kompetencë e saj. Por, meqë po merret me punë të vogla, sepse është tërësisht e paaftë që të merret me punë më të mëdha, atëherë pyetje legjitime janë: si po e dinë U.D. Presidentja se konkursi është hapur për një kandidat të caktuar, përderisa ai konkurs është publik dhe i hapur për të gjithë? Si po e dinë U.D. Presidentja që një prej kandidatëve na qenka familjar i një dëshmitari potencial, pa e poseduar listën e dëshmitarëve të mbrojtur? Apo mos ndoshta vetë Vjosa Osmani është dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar?

Simbiozë e Vjosa Osmanit dhe mediave të Surrojve është padyshim përkushtimi tejet i madh për t’i krijuar material Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që ta mbajnë në paraburgim presidentin Thaçi. Madje, këtë po e bëjnë duke u munduar që t’i identifikojnë edhe dëshmitarët e mbrojtur. Më e pakta që do duhej të bënte Zyra e Prokurorit të Specializuar, meqë atje po i mbajnë disa për të njëjtën çështje, është ta ftojnë U.D. Presidenten për t’i kërkuar përgjegjësi për rrezikimin e dëshmitarëve, meqë paska njohuri rreth tyre!