Kosovë

BE: Nuk komentojmë deklaratat e Vuçiqit e as nuk do ta zvarrisim dialogun pa nevojë

Bashkimi Evropian nuk po e sheh të arsyeshme të komentojë deklaratat e Aleksandër Vuçiqit se nuk do ta njeh Kosovën derisa të jetë president i Serbisë. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i tha Gazetës Express se si ndërmjetësuese e dialogut BE’ja nuk do ta zvarritin atë pa nevojë, duke shtuar se ritmin e negociatave e përcaktojnë të dyja palët.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka vazhduar retorikën e tij në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit.

Ai në një televizion serb tha se për sa kohë që është president i Serbisë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, mandat të cilin do ta ushtrojë deri në prill të vitit 2022.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i tha Gazetës Express se nuk i komentojnë deklarata e palëve që janë të përfshira në dialog.

Ky zëdhënës i BE’së tha gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk do ta përshpejtojë artificialisht dialogun por as nuk do ta zvarrisin atë pa nevojë, duke dhënë sinjale se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të hyjnë në fazën finale.

“Si rregull e përgjithshme, BE-ja nuk i komenton komentet. Ritmi i dialogut përcaktohet nga të dyja palët. Si ndërmjetësuese, BE-ja do t’ia japë dialogut kohën që i nevojitet pa e përshpejtuar artificialisht, por njëkohesisht pa e zvarritur atë pa nevojë”, tha zëdhënësi i BE’së.

Lidhur me deklaratat e presidentit serb ka reaguar kryeministri Avdullah Hoti i cili edhe rifilloi dialogun me shtetin fqinj.

Hoti ia çoi edhe njëherë mesazhin e njëjtë Vuçiqit se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke duke shtuar se deklaratat e atilla nuk i kontribuojnë dialogut.

“Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke. Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”, tha dje shefi i qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq zëvendësi i Hotit në ekzekutiv, Besnik Tahiri i tha Gazetës Expressse Kosova nuk duhet të bijë në grackën e Aleksandër Vuçiqit duke reaguar vrullshëm.

Sipas Tahirit, presidenti i Serbisë po provokon që më pastaj Kosova me reagime të duket dele e zezë para BE’së e ai burrë i mirë.

“Joserioziteti i tij karshi dialogut dhe partneritet me Bashkimin Evropian shihet edhe me këtë deklaratë sikurse që shihet edhe pozicioni autoritar i tij që lidhet me emrin e tij. Vuçiqi me këto deklarata dëshiron ta dobësojë pozicionin e Kosovës karshi BE’së pra të na provokojë reagime politike ku Kosova del delja e zezë e ai del burrë i mirë lideri i mirë proevropian. Ne nuk duhet të reagojmë, Kosova është e pavarur ai le të flet gjithë ditën”, u shpreh zëvendëskryeministri.

Dialogu me Serbinë i cili ishte ndërprerë përshkak të taksës së vendosur nga qeveria e Ramush Haradinajt, ka rifilluar në korrik të këtij viti nga pas 20 muajsh ndërprerje kryeministri Hoti.

Hoti dhe Vuçiq takimin e fundit të nivelit të lartë politik e kanë zhvilluar në shtator.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në nivelin e ekspertëve kanë pasur takime më të shpeshta, ndërkaq i fundit ishte më 10 dhjetor, ku palët nuk kanë shënuar ndonjë progres sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe pretendimeve financiare.

Tema më e nxehtë e bisedimeve ka qenë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, për të cilën pala kosovare ka refuzuar që të vihet në tavolinë përkundër insisistimit të palës serbe.

Ndërmjetësuesi i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak temën e Asociacionit nuk e ka diskutuar në takimet që ka pasur me kryenegociatorët, teksa ka paralajmëruar diskutimet e ardhshme të rifillojnë në vitin 2021 pa specifikuar se në cilin muaj.