Shëndetësi

BE-ja pret që në dhjetor të nisë vaksinimi kundër COVID-19

Një top-zyrtare e Bashkimit Evropian ka thënë të mërkurën se qytetarët e parë të bllokut me 27 shtete mund të vaksinohen kundër koronavirusit për pak javë, por ka paralajmëruar shtetet anëtare që të përgatiten me urgjencë që zinxhirët e logjistikës të bëhen gati për shpërndarjen e miliona dozave.

Duke thënë se “ka dritë në fund të tunelit”, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka thënë ligjvënësve evropianë se “qytetarët e parë evropianë mund të vaksinohen para fundit të dhjetorit”.

Komisioni, krahu ekzekutiv i BE-së, ka marrëveshje me gjashtë prodhues potencialë të vaksinave dhe po punon për një kontratë të shtatë.

Marrëveshjet ia mundësojnë t’i blejë më shumë se 800 milionë doza, më shumë se popullata e bllokut, që aktualisht është rreth 460 milionë.

Të martën, Brukseli ka thënë se do të nënshkruajë një kontratë për deri 160 milionë doza të vaksinës së zhvilluar nga “Moderna”, për të cilën kompania thotë se është mbi 94 për qind efektive.

“Shtetet anëtare duhet të bëhen gati tani. Po flasim për miliona shiringa, për organizim të qendrave të vaksinimit, për personelin e trajnuar. E gjithë kjo duhet të përgatitet”, ka paralajmëruar ajo.

Ajo ka kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat parandaluese për të shmangur pasojat e koronavirusit edhe në ekonomi.