Lajme

BE-ja ndan 6 miliardë euro për Turqinë

Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se i ka ndarë Turqisë gjashtë miliardë euro për të trajtuar problemin me migrantët sirianë, raporton AFP.

Ankaraja kishte kërkuar nga BE-ja të ndajë fonde për migrantët në mënyrë që t’i mbajë ata në territorin e vet dhe të mos lejojë shkuarjen e tyre në vendet evropiane.

Në vitin 2015 rreth një milion njerëz arritën në Evropë. Brukseli dhe Ankaraja ranë dakord më 2016 për të zgjidhur këtë çështje.

Sipas marrëveshjes, Turqia u zotua të pranojë kthimin e migrantëve që mbërrijnë në Greqi dhe të bëjë më shumë për të ndaluar rrugëtimin e tyre në këmbim të gjashtë miliardë eurove (7,20 miliardë dollarë).

Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, disa herë e ka akuzuar BE-në për mospërmbushjen e premtimeve duke thënë se Ankaraja ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për më shumë se 3.6 milionë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi.

“Sot shënohet përfundimin e kontraktimit të gjashtë miliardë eurove si mbështetje e BE për refugjatët dhe komunitetet pritëse në Turqi”, tha Nikolaus Meyer-Landrut, i dërguari i BE-së në Ankara.

Paratë e BE-së janë caktuar për projekte të veçanta sociale brenda Turqisë për të ndihmuar refugjatët dhe nuk do t’i paguhen drejtpërdrejt qeverisë turke. Kjo çështje ka qenë edhe arsye e ngritjes së tensioneve midis bllokut dhe Turqisë.

Në fillim të këtij viti, Erdogan tha se Turqia nuk do të ndalojë migrantët të shkojnë në territorin e BE-së, por më vonë hoqi kërcënimin.

Ai u përpoq të bënte presion në Bruksel për t’i dhënë më shumë mbështetje Turqisë në funksion të konfliktit sirian, veçanërisht pasi dhuna u ndez në rajonin veriperëndimor të Idlib-it.

Migrantët kanë ikur në Turqi pasi shpërtheu konflikti pas protestave anti-qeveritare në Siri më 2011. Llogaritet se nga konflikti kanë vdekur rreth 400.000 persona.