Lajme

Basha: Rimëkëmbja e fshatit dhe e bujqësisë, prioritet kombëtar

Në kuadër të turit ‘Rrugëtimi për Shqipërinë’, në një takim me qytetarët dhe fermerët e Urës Vajgurore, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike do ta ketë në plan të parë sektorin e bujqësisë, dhe kjo shtoi ai nuk do të bëhet thjesht me fjalë, por me veprime konkrete përmes mbështetjes së fermerit me subvencione të drejtpërdrejta.

Kreu i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë dhe kryeministrin, ndërsa tha se dështimi më i madh i tij është sektori i bujqësisë.

“Dëmin më të madh ky kryeministër dhe kjo qeveri ia kanë bërë bujqësisë duke i braktisur në mënyrë ceremoniale financimet për këtë sektor. Bujqësia është në kolaps, fermerët janë në prag të falimentit. Prodhimet tona në vend që furnizojnë tregun me prodhime cilësore, të dalë nga toka jonë, ato kalben, sepse nuk arrijnë në treg dhe tek konsumatori. Edhe kur dalin në treg, ata nuk konkurrojnë me ata të huaja. Rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është zemra e programit tonë. Subvencioni është në zemër të çdo politike që nxit zhvillimin rural në Evropë, Amerikë, Australi dhe në vendet më pak të zhvilluara në rajon. Për ne bujqësia është prioritet kombëtar. Mos të dorëzoheni, kanë qenë vite të vështira jo prej Zotit e moti, por prej qeverisë. Një ditë më e mirë po vjen për ju dhe për familjet tuaja Do kemi plan dhe masa konkrete që çdo kokërr djerse e fermerit shqiptar të mos përfundoj në kanal, por të kthehet në kreditim dhe punësim për fëmijët tuaj”-tha Basha.


Etiketa: , , , ,