Lajme

Basha: Diferencat e mia me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, në një intervis

Kryetari i Partisë Demokratike, në një intervistë në “Real Story” ka sqaruar akuzat që i janë bërë këto ditë nga qeveria për hetimet ndaj UÇK, por ka theksuar dhe ato që ai i quan si diferenca me Edi Ramën.

Kryetari i PD tha se ai ka punuar për rrugën e Kombit, ndërsa Rama ka vënë traun. Basha tha se ai ka punuar për pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rama ka punuar për ta zhbërë Kosovën dhe për t’i ndryshuar kufijtë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Basha tha se ai është nip Kosove, ndërsa daja i Edi Ramës ka ikur nga Shqipëria në Jugosllavi. Basha tha se ai ka punuar dhe ia doli për heqjen e vizave, ndërsa sot me Edi Ramën, kemi rrezikuar rikthimin e vizave.

Kryetari i PD, Lulzim Basha tha dje se pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të marrë fitoren me anë të makinacioneve, siç janë ndryshimet në kod apo ngritja e partive të reja, sërish nuk do e shpëtojnë nga humbja më 25 prill.

Duke treguar diferencat me Ramën, Basha tha se ai ka punuar për rrugën e Kombit, ndërsa Rama ka vënë traun. Një pengese, pohoi Basha, që ai do ta heqë sapo të vijë në pushtet, dhe mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do ketë më asnjë tra ndarës. Basha tha se ai ka punuar për pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rama ka punuar për ta zhbërë Kosovën dhe për të ndryshuar kufijtë e saj.

Këtu, kreu i PD, përmendi edhe konfliktin dhe padinë që kreu i qeverisë bëri ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i opozitës u shpreh se ai është nip Kosove, gjyshi i tij nga nëna ka ardhur nga Likovci i Mitrovicës, gjatë masakrave serbe, ndërsa Rama është nip i Spiro Kolekës, i cili shkoi nga Shqipëria në Jugosllavi pas çlirimit, duke përkrahur regjimin antishqiptar atje.

Basha tha se ai ka punuar dhe ia doli për heqjen e vizave, ndërsa sot me Edi Ramën, kemi rrezikuar rikthimin e vizave, dhe kemi gjithnjë e më shumë kushte e kërkesa për integrimin nga vendet e BE.

Akuzat

Basha u shpreh se akuzat që po i vijnë nga mazhoranca në lidhje me aktivitetin e tij në Kosovë, bëhen për interesa të Beogradit.

Sipas tij, në lidhje me këtë çështje janë shprehur vetëm dy institucione, Ministria e Jashtme e Federatës ruse dhe Kryeministri shqiptar.

“Nuk ka pasur asnjë provë për të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë. Nuk e përmend askush në Europë, por e flet Rama dhe Ministria e Jashtme e Rusisë. Këto janë akuza të ricikluara.

Sot Kosova ka nevojë për solidaritet e patriotizëm e jo për të ngulur thikën pas shpine. Unë jam nip Kosove, një gjysh i imi është nga Mitrovica e gjyshja nga Gjilani.

Jam rritur me tregimet e dhimbshme të masakrave serbe. Kam kontribuar për shtetin e Kosovës, për Rrugën e Kombit etj. Gjyshi im ka ikur nga Kosova nga masakrat serbe, ndërsa gjyshi i tij në atë kohë Spiro Koleka shkonte në ish-Jugosllavi.

Edi Rama goditi interesat kombëtarë, tradhtoi Kosovën”, tha Basha.

Në lidhje me akuzat e ngritura për zhdukjen e kasetave të masakrës së Krushës, Basha i cilësoi si qesharake, kur tha se ai s’ka se çfarë të fshehë, pasi filmimet e kësaj masakre mund t’i gjesh lehtësisht në internet.

Mazhoranca, për këtë çështje duket se do ngrejë dhe një Komision Hetimor, për të cilin kreu i opozitës u shpreh se nuk do të marrë pjesë, pasi është një përligjje e pastër e interesave të Beogradit.

“Pse duhet ta fsheh këtë material kur janë publikuar momente nga Masakra e Krushës së Madhe. Këtu ka një dorë që fabrikon të dhënat. Kjo është përpjekje e ulët për të hequr vëmendjen nga skandalet e kësaj qeverie.

Ditën që Thaçi e Krasniqi ishin në Hagë, Rama ishte me Vuçiç. Më shqetëson sjellja e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës. Kurrë s’kam qenë pjesëtar i ndonjë procesi hetimi ndaj UÇK.

Isha pjesë e skuadrës së Tribunalit të Hagës për hetimin e Millosheviç, dhe jam krenar për këtë. Skuadrat ishin të ndara. Skuadra që hetonte krimet e serbëve s’mund të hetonte dhe shqiptarët. Kjo është një tjetër çështje e mbyllur.

Kujt i intereson? Ky është shërbim i pastër që i bëhet Beogradit. Kurrë, kurrë nuk bëhem pjesë e shërbimit të Beogradit. Ti po kërkon që unë të përligj diçka që kërkohet nga Beogradi.

Ballës dhe Ramës duhet t’i thuash që të ndalë këtë lojë të Beogradit. Akuzat janë hedhur poshtë. Kujt po i shërben ti? Me përpjekje për të ringjallur akuza?”, tha Basha.

Vilat

Kreu i opozitës iu ka dhënë përgjigje dhe akuzave të ngritura në lidhje me vilën ku jeton, apo vilat që u akuzua se ka blerë në bregdet.

Basha tha, se nuk ka blerë asnjë vilë, dhe ajo ku jeton aktualisht me qira nuk është pronë e asnjë oligarku, por e një familjeje tiranase.

Sipas Bashës, ai u detyrua të zhvendosej për shkak të dëmeve nga tërmeti dhe për disa arsye të tjera familjare që nuk preferoi t’i bënte publike.

“Është e vërtetë që kam jetuar në një apartament, që është me sipërfaqe më të madhe sesa godina ku jemi zhvendosur me qira. Motivi kryesor është tërmeti dhe një motiv tjetër nuk dua ta bëj publik.

Në këtë ambient që kam marrë me qira, marrëdhënia ime është mes familjes sime dhe një familje tiranase normale, që e jepte atë pronë me qira.

Akuzat janë pjesë e një strategjie përbaltje. Janë gënjeshtra të pastra dhe do kallëzoj penalisht, shpifësi i është shmangur gjyqit.

Në 7 vjet, ky kryeministër ka pasur në dorë të gjithë mekanizmat e pushtetit për të parë pasurinë e familjes sime, por pasuria ime është vënë në mënyrë të drejtë.

Nuk jam pronari i asnjë vile të vetme. Gjithçka është sulm i pastër në fushatë elektorale. Dihet shumë mirë se ku jeton kryeministri Edi Rama, por kjo do të duket sikur unë po i kundërvihem”, tha Basha.

Pandemia

Jashtë vëmendjes së kreut të opozitës, nuk mbeti as situata e shkaktuar nga pandemia COVID-19. Basha theksoi se njerëzit po dergjen nëpër ambulanca, ndërsa shtoi se numri i testimeve duhet rritur.

“Kam thënë se duheshin bërë 2 500 teste në ditë. Sot nuk mjaftojnë as 2500 testime, por duhen 5 mijë teste. Në rast se nuk shkon në 5 mijë numri i testeve, më shumë do të kemi infektime dhe spitalet më shumë do shkojnë drejt kolapsit.

Njerëzit dergjen nëpër ambulanca. Spitalet rajonale nuk janë në vend. Pandemia i ka dalë jashtë kontrollit Edi Ramës. Nuk janë numra ata, janë njerëz e nuk janë shifra. Vdiq tjetri në trotuar se nuk kishte ku të shkonte.

Profesorë thonë se njerëzit presin jashtë ose që dikush të ikë nga spitali pas shërimit ose larg qoftë të vdesë dikush. Ne i fshehim shifrat (qeveria). Këtë s’ta them unë, ta thonë ekspertët.

Ti dhe unë dhe kolegët e tu jemi të vetëdijshëm për njerëz në rrethin tonë familjar, të miqve, të të njohurve që kanë vdekur nga COIVID dhe s’janë regjistruar si të tillë. Mos më thuaj jo. Ky është fakt.

Shifrat tona zyrtare nuk janë të sakta, Testimet janë mbajtur të ulëta, për të mbajtur të ulëta shifrat e vdekjeve dhe infektimeve. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin për shkak të kësaj neglizhence”, tha Basha.


Etiketa: , , ,