Opinione

Barometri diplomatik

Edi Rama (kryeministër aktual i qeverisë shqipt

Edi Rama (kryeministër aktual i qeverisë shqiptare) gabimisht ka deklaruar se harta serbomadhe e shpalosur nga homologu dhe aleati i tij, Aleksandar Vuçiq(president i Serbisë) nuk paraqet kurrfarë rreziku, mbase nuk është gjë tjetër vetëm se “lesh” : “U vonua pak, por më mirë kështu se ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxori dje ai shoku në Beograd duke lozur me kulla ne Facebobok, ne jemi një e ardhmja dihet se cila është, sigurisht kemi qasje të ndryshme se si shkohet tek e ardhmja por në të tashme ne jemi një”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama është shprehur kështu në “stilin e lirë të notit në shpinë”, sepse nuk e njeh as historinë e as psikologjinë politike dhe diplomatike kolonialiste të Serbisë së Madhe dhe të serbomëdhenjve, të cilët që nga shekulli XIX , XX, e, edhe sot në shekullin XXI(viti 2021) , duke u mbështetur në “hartat e vizatuara” antishqiptare të karagjorgjeviqëve, të pashiqëve, të qubriloviqëve, të andriqve, të qosiqëve, të rankoviqëve, të milosheviqëve dhe të vuçiqëve…, kanë kryer spastrim etnik të qindra, mijëra e milionë shqiptarëve, që nga Nishi deri në Durrës dhe në Elbasan, duk vrarë, duke therur dhe duke djegur fëmijë e foshnja në djep (1878- 1999). Kjo ishte, dhe, edhe sot është domethënia e shpalosjes së hartës serbomadhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili më 17 mars 2021, e shpaloi, duke e “argumentuar” me një fjalor të ashpër racist denoncues të shqiptarëve në Kosovë, se gjoja më “17 mars 2004 kanë kryer masakra dhe përndjekje masive të serbëve nga Kosova”. Këtë kritikë, të ilustruar me kryqin dhe me flamurin serbomadh, Aleksandar Vuçiq ua drejtoi shqiptarëve në Kosovë nga fjalimi i tij në Teatrin Popullor në Beograd, ku mbahej një akademi kushtuar gjoja Ditës Përkujtuese të 17 marsit 2004- “Pogrom na Kosovu i Metohiju”.

Në këtë tubim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera theksoi se “Kosova nuk është ngarkesë e jonë, por kryqi jonë, e nga kryqi më mirë mund të shihet ringjallja sesa nën të” .

Presidenti Vuçiq në vend të kërkimfaljes për gjenocidin serb, po nxit urrejtje, armiqësi dhe rikthimin e luftës në Kosovë sikurse tri dekada më parë “mesija” e tij, kryekrimineli Slobodan Milosheviq.

Kjo logjikë është e tmerrshme, destruktive, antihumane, anticivilizuese, antievropiane dhe antiamerikane, që pretendon ripërsërtijen e gjenocidit serb në Kosovë (1912-1999), ashtu sikurse në vitet ’90 të shekullit XX, kur Serbia paramilitare, policore dhe militare i dogji Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, pikërisht duke valvitur flamujt e nacionalshovinizmit dhe racizmit serb, të stolisur me kryqa dhe me eshtra të car Llazarit dhe gojëdhana mitomane të mesjetës.

Mirëpo, Evropa Perëndimore së bashku me Amerikën nuk duhet të lejojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ( i njohur herë si sekretar i Përgjithshëm i PRS-së së Vojislav Sheshelit, e herë si ministër i Informacioneve në qeverinë e Slobodan Milosheviqit, gjatë “viteve të leshta”), që ta kërcënojë Kosovën me luftë, gjoja për “shpëtimin” dhe për “mbrojtjen” e minoritarëve serbë, sepse kjo është gëjeshtër politiko-propagandistike për të përgatitur popullin për një luftë re kundër shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por më gjerë.

Nuk është kohë e kryqëzatave, por e paqes dhe e integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian

Prandaj, pas kryerjes së 3 gjenocideve të Serbisë së Slobodan Milosheviqit në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999) presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk duhet të na rikthej në vitet ’90 të shekullit XX, kur Serbia e tij, jo më pak se një dekadë kreu krime dhe masakra monstruoze kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe kundër shqiptarëve.

Diplomacia e “leshit”, ta kuptojë seriozisht hartën serbomadhe të presidentit Aleksandar Vuçiq!

Ndryshe, Serbia kolonialiste dhe militariste sërish do ta përsërit ripushtimin dhe riserbizimin kolonial të Kosovës, ashtu sikurse në vitet e shkuara (1912-1999).

Çfarë diplomacie e “leshit” është ajo, kryeminsitri gjoja i përgjigjet “dostit” të tij, Aleksandar Vuçiq me “instigram” domethënë privatisht si “miku-mikut” apo si “shoku-shokut”, se gjoja “Harta serbomadhe” e tij nuk paraqet kurrfarë rreziku për Kosovën, sepse ajo “ësht vetëm një lesh”!?

– Çfarë naiviteti ky, sikur Rama të kishte qenë i dehur nga ndonjë pije e fortë alkoolike serbe e Beogradit, duke bërë cirk me A. Vuçiqin?! Kjo vërtet është absurditet, tallje dhe turp për gazin e botës, mbase ajo hartë kërcënuese e Vuçiqit nuk është biznes privat, por çështje serioze ndërshtetërore, që Vuçiqi paralajmëron mikun e tij Edi Rama dhe të gjithë shqiptarët, se Serbia, do të bashkëpunojë me shqiptarët vetëm duke u bazuar në atë Hartë serbomadhe, që do të jetë bosht i platformës strategjike të veprimit të Marrëveshjes së Minishenginit Ballkanik (Rama, Vuçiq, Zaev).

Diplomacia e “leshit” , zyrtarisht do të duhej t’i përgjigjej Hartës serbomadhe të Aleksandar Vuçiqit !

Sepse historikisht ajo hartë serbomadhe ka gllabëruar afro 50% të popullsisë shqiptare dhe të territorit autokton të Shqipërisë Etnike (1878-2021).

Prandaj, pikëspari, presidenti i Shqipërisë , Ilir Metaj (jo me email, as me FB ) zyrtarisht, me rrugë diplomatike ndërshtetërore, do të duhej të kërkonte përgjigje sqaruese nga presidenti i Serbisë për shkak të paraqitjes së asaj harte, ku Kosova figuronte si territor i Serbisë, ashtu siç figuron edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë(2006).

Po ashtu, do të duhej të vepronte, edhe kryeministri i qeverisë së Shqipërisë përmes kërkesës zyrtare, drejtuar Uashingtonit zyrtar, BE-së, NATO-s dhe OKB-së, duke e paditur Serbinë për kërcënim të hapur dhe ndërhyrje direkte në çështjet e brendshme të Kosovës dhe të Shqipërisë, me rrezik të madh të shpërthimit të një lufte të re në Kosovë, që do të destabilizonte qëndrueshmërinë, sigurinë dhe paqen në Ballkan, ashtu sikurse në vitet ’90 të shekullit XX, kur Serbia shkaktoi 3 agresione pushtuese dhe gjenocidale kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, duke vrarë, masakruar dhe shpërngulur me miliona njerëz civilë të pafajshëm etj.

Këto dy fenomene negative (harta serbomadhe dhe diplomacia e “leshit”) janë manifestuar në Kosovë që nga vitet ’90 të shekullit XX, sepse pikërisht Slobodan Milosheviqi ishte ai që së bashku me KOS-in dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe ( sipas Memorandumit 1986) shpalosi hartën serbomadhe për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, si dhe djegjen e saj cep më më cep (1989-1999). Kjo ndodhi për shkak të diplomacisë së “leshit” të Shqipërisë, e cila nuk qe në gjendje për ta “lexuar” dhe për ta vlerësuar drejt pretnedimin territorial dhe gjenocidal të Hartës serbomadhe, që kishte për qëllim gllabërimin e shqiptarëve dhe të Kosovës.

Nëse nuk pëson metamorfozë diplomacia e “leshit”, harta serbomadhe e Aleksandar Vuçiqit, rrezikon ridjegien e Kosovës !

-Tridhjetë vjet (1989-2021) tallje, përbuzje dhe braktisje e Kosovës!

Deri kur do të zgjatë kjo telendisje dhe absurditet i politikës dhe i diplomacisë së “leshit”?

Pse, edhe kryeministri aktual shqiptar Edi Rama bën cirk me “leshin” e hartës serbomadhe të Vuçiqit?

Vërtet, kjo far diplomacie “moderne” e Shqipërisë së Edi Ramëve (1990-2021) të kujton “SERIOZITETIN” e këtij proverbi popullor shqiptar: “Prit me muaj e prit me vjet pushka e Lilit s’po kërcet”. Kjo farë diplomacie statike e “leshit”, thënçin paqësore përputhej dhe, edhe sot po përputhet plotësisht me politikën pasive paqësore të Rugovës: “Duro magar derisa të dalë bar”! Mirëpo, një diplomaci e tillë e dyzuar nuk ndezi, sepse “leshi” u dogj, bari u tha dhe gomari pati ngordhur nga raketat, nga topat dhe nga pushkët e Serbisë gjenocidale (1989-1999).

Njëmend, kjo nuk ishte kurrfarë diplomacie efektive mbrojtëse e mbi 2 milionë shqiptarëve dhe Kosovës, por një dramë tragjike gjithëkombëtare, që të kujton këto vargje të filozofit dhe të poetit Rilindës Ndre Mjeda : “Tue u tallë e tue pritue, asgjë send nuk qitet n’dritë, për çdo gja me fitue, trimni lypset e guxim…” Ky guxim, ky seriozitet dhe kjo simetri i mungonte “diplomacisë së leshit”, sepse nuk e deshën e as nuk e ndihmuan luftën çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së (1991-1999).

Ja, kjo ishte, dhe, fatkeqësisht, edhe sot, është simetria e “diplomacisë së leshit” e aksit Prishtinë – Tiranë” (1989-2021), sepse dështuan përpara agresionit pushtues dhe gjenocidit shfarosës të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, që herri mbi “13 mijë shqiptarë” dhe dogji mbarë Kosovën, pikërisht sipas “hartës së rishpaluar kolonialiste të presidentit serb Aleksandar Vuçiq”, ku Kosova figuron si njësi territoriale, administrative dhe shtetërore e Serbisë së Madhe kolonialiste dhe hegjemoniste.

Të lumtë z. Gjeneral Dritan Demiraj!

S’ka asnjë dilemë se ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Dritan Demiraj përgjigjen më të saktë dhe më serioze ua ka dhënë edhe Aleksandar Vuçiqit (për hartën serbomadhe antishqiptare), edhe Edi Ramës për diplomacinë e “leshit” , e cila para 30 vitesh nuk bëri asgjë për ta shpëtuar Kosovën dhe mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga Serbia gjenocidale, 1912-1999).

Shkurt e shqip, Demiraj e bën me dije presidentin serb, Aleksandar Vuçiq: “Kur të duash ‘bujrum’ në trojet tona! Çfarë mendon zotrote, kujton se të gjithë shqiptarët janë si shoku juaj tradhtar….Duke mos dashur të merrem me ty se nuk ja vlen, po e mbyll me një shprehje të moçme të popullit tim.’Mos e kruaj me gjethe fiku’!”

Ndërkaq, Edi Ramën e rikujton se nuk di asgjë për historinë e sakrificës dhe të golgotës shqiptare nga gjenocidet serbe (1878-1999), duke nënvizuar qartazi se “ Në atë hartë që zotrote i referohesh si “hartë leshi”, është derdhur gjaku i mijëra vëllezërve, motrave, fëmijëve dhe të moshuarve që ai “shoku jot” i ka pasur në majën e bajonetës dhe grykën e pushkës në vitet 1998-1999. Sigurisht që ti nuk i mban mend këto se ke qenë rrugëve të Francës në atë kohë. Falë teje, ai shoku jot ka dhe guximin të bëjë lajm me hartën e trojeve shqiptare. Por, mos u bëj merak se pas 25 prillit mund t’i bashkohesh shokut tënd të ngushtë…”

-Faleminderit Z.Gjeneral Dritan Demiraj !

Zoti të bekoftë për atdhedashurinë, për patriotizmin, për guximin, për sinqeritetin dhe për solidarizimin me motrat dhe me vëllezërit tuaj në Kosovë, si dhe për mbrojtjen dhe për pohimin e drejtësisë dhe të së vërtetës historike të Kosovës martire (sepse mbrojtja dhe pohimi i së vërtetës është revolucionarizëm), e cila jo më pak se 100 vjet ishte koloni e Serbisë së Madhe gjenocidale (1912-1999).

Kësi gjeneralë, ministra, kryeministra, presidentë shqiptarë si Dritan Demiraj, i duhen Shqipërisë Etnike, jo të tillë që kinse me “paqe të leshit” e për pazare ndërpartiake dhe për sëmundje karrieriste dhe kolltukofagiste u nënshtrohen agresorëve pushtues sllavo-bizantinë të Ballkanit.

Së më sipër, historia e derisotme botërore ka provuar se, ata liderë politikë dhe ata popuj, që agresorët pushtues dhe kolonizues i presin me lule dhe me paqe, ata janë tradhtarë dhe armiq të kombit dhe të atdheut.