Lajme

“Bardhi, limoni i shtrydhur i PD”, si përgjigjej Kajmaku në Gusht

Konfirmohet se kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i dënuar në Greqi me emrin Jorgo Toto. Faktet i bëri sot publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, referuar informacionit të mbërritur nga prokuroria.

***

Kur Partia Demokratike e ka akuzuar Agim Kajmakun se është arrestuar e dënuar në Greqi për falsifikim parash me emrin Jorgo Toto, kreu i Bashkisë Vorë, asokohe i mohonte akuzat duke u shprehur se s’ka qenë asnjëherë i dënuar. Ai madje lëshoi akuza dhe fyerje personale në drejtim të Gazment Bardhit duke e quajtur “limon i shtrydhur i PD” apo dhe “tellalli i PD”.

“Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja.

 Ata bëjnë sikur nuk e dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeriu. Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim!”- deklaronte Kajmaku.

***

Kajmaku asokohe, vuri theksin se ka hyrë dhe ka dalë në Greqi, disa herë para se të përzgjidhet si kandidat, që vërteton sipas tij faktin se nuk ka qenë kurrë i dënuar, e aq më tepër i arrestuar në Greqi.

Për këtë, ai ka publikuar edhe vulat në pasaportë. Në fakt, vulat tregojnë se ai ka hyrë dhe ka dalë në maj të këtij viti, dhe jo më herët. Fakt që nuk mohohet nga PD, dhe u pranua edhe nga korespodenti në Greqi i TCH, sipas të cilit, Kajmaku ka shkuar atje për të marrë një vërtetim, që nuk është i dënuar.

Sa i përket emrit tjetër, Jorgo Toto, ai ka ripërsëritur që ky ka qenë një emër që ka përdorur në shtetin grek për të punuar dhe një mundësi për të marrë sa më lehtë dokumentet.

“Tellalli i PD u mor me mua prapë sot, po s‘ka problem se e vërteta vonon po nuk harron. Unë paskam urdhër arresti në Greqi dhe hykam e dilkam sa herë dua! Ja ku e kam që kam hyrë e kam dalë nga Greqia para se të dilte emri kandidat. E vërteta ime do vërtetohet siç e kam thënë, po jo nga limoni i shtrydhur i PD, po nga autoritetet.

Unë sjam arrestuar dhe sjam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po te isha në kërkim sdo hyja dhe dilja sipas qefit! 

Prandaj le të hyjë Luli dhe le të dali Gaz Bardhi sa të dojë duke i ra fyllit me një vrimë, se rëndësi ka e vërteta. E vërteta është me mua dhe unë jam me të vërtetën! Shumë shpejt do gjejnë një babale tjetër se babale mua s’më bejnë dot”, shprehej Kajmaku asokohe.

Mirëpo, Gazment Bardhi duke iu drejtuar kryetarit të Vorës, i thotë se si Agim Kajmaku ti mund të hysh e të dalësh sa herë të duash, çështja është, a hyn dot në Greqi si Jorgo Toto, me foton në TIMS dhe pasaportën me nr 0148497.

Pra sipas Bardhit, krimin për të cilin ai është ndaluar dhe është në kërkim ende nga drejtësia atje është kryer me identitetin Jorgo Toto. Dhe po ashtu, Bardhi, deklaron se Jorgo Toto që ka përdorur para të falsifikuara në Greqi dhe është hetuar e gjykuar, është pikërisht Agim Kajmaku i Vorës.

***

Organi i akuzës bën të ditur se përgjigjja e gjurmëve të gishtave të ardhura nga Greqia për Kajmakun, përputhen me ato të Jorgo Totos, duke theksuar se kryebashkiaku i Vorës ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me ushtrimin e mandatit në funksione publike. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i kërkon kryeministrit Edi Rama të shkarkojë menjëherë Agim Kajmakun.

LEXO EDHE: 

Kajmaku përgjigjet me vulat në pasaportë: Kam hyrë e dalë nga Greqia

Kajmaku: I qendroj deklaratave, nuk iki nga detyra

Bardhi nxjerr provat: Kajmaku i dënuar në Greqi për krim të rëndë

Prokuroria: Agim Kajmaku është Jorgo Toto. Bardhi: Rama ta shkarkojë


Etiketa: , , , , ,