Sport

Ballkani merr kryesimin pas javës së katër të Superligës së Kosovës

Ballkani ka fituar në derbin ndaj Llapit për ta marrë kryesimin në rrethin e katër të Superligës së Kosovës. Drita ndërkohë ka regjistruar fitoren e parë për sivjet kundër KF Besës kurse befasia ka ardhur nga Mitrovica ku është mposhtur Prishtina

Kanë përfunduar edhe ndeshjet e xhiros së katër të parapara për sot në Superligën e Kosovës. Fitore ka regjistruar Drita, Ballkani dhe Trepça ’89.

Drita-Besa Pejë 3-1

Drita ka marrë tri pikët e para në kuadër të xhiros së katër ë Superligë. Kampioni i Kosovës bëri ndeshjen e parë për sivjet pasi që nuk kishte luajtur tri xhirot e para për shkak se kishte arritur në rrethin e tretë të Europa Ligë. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi 1-1. Fillimisht shënoi Kastriot Rexha në minutën e 10 kurse barazoi G. Salihu në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë Drita ishte më e mirë dhe shënoi me H. Namanin në minutën e 78 kurse goli i tretë erdhi në minutën e 90 ku golashënues ishte përsëri Kastriot Rexha.

Llapi-Ballkani 1-3

Ballkani ka vazhduar me fitore në Superligë. Kësaj here ata arritën që ta mposhtin Llapin si mysafirë me rezultat 1-3. Pjesa e parë përfundoi pa gola. Të katër golat erdhën në pjesën e dytë. Mirlind Daku vazhdoi serinë e mirë të shënimit të golave ku shënoi edhe dy sonte, një në minutën e 52-të dhe një tjetër në minutën e 60-të. Blend Baftiu shënoi për epërsinë 0-3 në minutën e 70. Llapi do ta ngushtonte epërsinë në minutën e 78 me Ramadanin.

Trepça 89- FC Prishtina

Prishtina përsëri ka bërë një hap fallcë, kësaj radhe në Mitrovicë ku është mposhtur me rezultat minimal 1-0. Pjesa e parë e kësaj ndeshje përfundoi barazim 0-0 kurse në pjesën e dytë vendasit kaluan në epërsi nga penalltia në minutën e 82-të me anë të Jasharit.