Lajme

Bajrami: Politikanëve u kujtohet Kushtetuta vetëm kur duan ta marrin ose ruajnë pushtetin

Një prej hartueseve kryesor të Kushtetutës së K

Një prej hartueseve kryesor të Kushtetutës së Kosovës, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se politikanëve në Kosovë u kujtohet Kushtetuta vetëm kur duan ta ruajnë ose marrin pushtetin.

Sipas tij, shkelësit kryesor në këto 13 vjet, prej kur ka hyrë në fuqi ajo, janë vetë institucionet shtetërore.

“Kemi dy presidentë të larguar për shkak të shkeljes së Kushtetutës, kemi dhjetëra ligje të anuluara, kemi dhjetëra akte të qeverive, kryeministrave të anuluara, kemi shumë akte të komunave të anuluara, madje kemi edhe vendime të Gjykatës Supreme të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shpallë jo kushtetuese.

Pra, kush po e shkelë kushtetutën, vet shteti dhe institucionet shtetërore, qytetarët praktikisht këtu janë viktima, sa herë që shteti e shkelë kushtetutën viktima janë qytetarët, ata pësojnë sepse dëmin nuk e kanë vet liderët, as kryetarët e partive, pra dëmi shkon të qytetarët me krizë politike, me mungesë të zhvillimin ekonomik, me papunësi”, ka thënë Bajrami për Kp.

Ai  është shprehur se shkrimi i Kushtetutës është akt historik.

“Një e treta e Kushtetutës ka dalë nga Plani i Ahtisarit dhe aty kemi bërë luftën kryesore me ekspertët e Ahtisarit për përmbajtjen e Kushtetutës dhe kompromiset që janë bërë kryesisht te të drejtat e pakicave, të shumica e dyfishtë, të çështjet e interesit vital, të disa të drejta që u janë dhënë pakicave sidomos komunitetit serb i cili fatkeqësisht po i keqpërdorë, nuk po i përdorë për arsyen e vërtetë çfarë ne i kemi dhënë, por po i keqpërdorë duke e bllokuar shtetin e Kosovës, duke penguar vendimmarrjen politike në Parlamentin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës dhe duke mundësuar ndikimin serb në politikbërien e Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Lidhur me këtë, Bajrami ka thënë se duhet të arrihet një unitet në mes të opozitës dhe opozitës për ligjet që kërkojnë dy të tretat në Kuvend dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duke përmendur si shumë të nevojshëm bashkëpunimin me komunitetet pakicë jo serbe. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të relativizohej plotësisht ndikimi i Listës Serbe dhe e njëjta nuk do të mund të pengonte shtetin e Kosovës, siç ka ndodhur me rastin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.

Bajrami ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë dështuar të shënojnë në mënyrë dinjitoze Ditën e Kushtetutës.

Sipas tij, më 9 prill do të duhej të mbahej seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe se janë të nevojshme aktivitetet me të rinjtë dhe nxënësit në shkolla, në mënyrë që të tregohet rëndësia e aktit më të lartë juridik të shtetit./Insajderi.com