Kosovë

Bajqinovci thotë se ishte në makinë kur ajo mori flakë: Gati u dogja në të

Deputeti i legjislaturës së kaluar nga radëht e VV’së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se ishte brenda veturës së tij kur ajo mori flakë.

Ai thotë se gati është djegur nga flakët, ndërkohë që nuk e di arsyen e defektit në makinën e tij.

“Vetura më është djegur dhe kam qenë në të, më shumë nuk kam çfarë të them. Ende nuk e di nëse përfshirë në zjarr nga ndonjë defekt, problem teknik apo diçka tjetër, veç gati u djega në të edhe unë”, tha ai për Kallxo.com.

Rastin e djegies së veturës e ka konfirmuar për Expressin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me targë Kosove të përfshirë nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë”, tha Borovci.

Sipas tij, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë menaxhuar  përhapjen e zjarrit.